Koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët – Çair: Komuna e Çairit ka prodhuar lagje dhe geto ilegale

Koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët – Çair: Komuna e Çairit ka prodhuar lagje dhe geto ilegale

Koalicioni AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët – Çair: Komuna e Çairit ka prodhuar lagje dhe geto ilegale

Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë, jemi sot këtu në hyrje të lagjes “Serava”, ku 15 vjet janë ndërtuar, po ndërtohen e mbindërtohen ndërtesa, të gjitha të egra dhe duke abuzuar me ligjin për legalizim të shtëpive të vjetra.
Komuna e Çairit për 16 vjet me radhë është drejtuar nga njerëz të paaftë, qëllimi i vetëm i të cilëve ka qenë ta pasurojnë veten, familjen dhe klanin e tyre. Ndërkaq çmimi i pasurimit të tyre ka qenë varfërimi ynë dhe humbja e më të çmueshmes që e kemi – gjeneratës së re! Jo vetëm që kanë dhënë premtime të rrejshme për një ardhmëri më të mirë qysh nga 2005 e këndej, por BDI-ja në Çair e ka kthyer jetën tonë në një makth dhe ka prodhuar edhe një geto urbane me ndërtesa pa leje, duke е shkatërruar jetën e secilit banori në këto lagje dikur të njohura si lagje të gjelbra.
E duke qenë këtu dëshirojmë ta pyesim kryetarin aktual të Çairit, Visar Ganiu, se cila nga ndërtesat e reja në Çair ka leje ndërtimi? Ndërkaq pyetja e dytë për të është: në çfarë xhepa ka përfunduar ryshfeti dhe përqindjet, në mënyrë që të lejohen këto ndërtime të egra? E nëse thotë se nuk ai ka marrë ryshfet, atëherë shtrohet pyetja se për çfarë arsye i ka lejuar atëherë këto ndërtesa? Cili është çmimi i këtij mashtrimi?
Para disa ditësh ne ishim dëshmitarë të një dokumentari që është bërë për njërën nga këto ndërtesa, ndërsa ne e dimë se asnjë ndërtesë e re në Çair, që nga Çarshia e deri në kufirin me Butelin, nuk ka leje. Prandaj shtrohet pyetja: kush do të shkojë në burg për këto dallavere, hajni e mashtrime? Izeti, Visari apo vartësit e tyre? Apo, mos ndoshta, vetë kryetari i partisë? Kush është përgjegjës që kështu është rrezikuar jeta e qytetarëve dhe biznesi i investuesve?
Abuzimi me ligjin për legalizim, ashtu që ndërtesat ngrihen në vitin 2021 dhe regjistrohen sikur të jenë ndërtuar më 2011, e mundëson vetëm mafia urbane e Çairit në krye me Visar Ganiun dhe shefin e tij, Izet Mexhiti. Kjo është arsyeja që unë i ftoj edhe mediat e tjera dhe hulumtuesit e tjerë që të vijnë në Çair dhe të shohin se çfarë katastrofe kanë prodhuar këta njerëz në Çairin tonë. Këto objekte nuk mundësojnë kurrfarë zgjidhjeje për instalimin e rrymës elektrike, kanalizimit, ujit të pijshëm, si dhe hapësirave të gjelbra për socializim dhe jetë normale.
Sidoqoftë, lajmi i mirë është se këta njerëz i numërojnë ditët e fundit në krye të Komunës së Çairit dhe ardhja jonë aty do ta ndalë këtë kaos urban në Çair, duke e kthyer qytetarin dhe afaristin në qendër të vëmendjes. Nuk mund të lejojmë që të rrezikohet jeta e dikujt dhe paratë e dikujt që investon ose që me shumë telashe mbledh para që të blejë një banesë, ndërsa kjo të jetë vetëm në dobi të xhepave të disa personave që sot e drejtojnë padrejtësisht Çairin.
Të nderuar banorë të Çairit, nuk ka asgjë më të shtrenjtë dhe më të shenjtë se jeta e njeriut dhe nuk ka poshtërsi më të madhe se dikush të abuzojë me jetën e njerëzve për përftime të veta meskine. Çairi do të jetë përsëri çair i bukur. Këtë jua premtoj unë!

AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët – Çair

Shkup, 07.07.2021

Close