AlternAtivA: “Taksa ekologjike” e Qeverisë është ana tjetër e plaçkitjes së qytetarëve

AlternAtivA: “Taksa ekologjike” e Qeverisë është ana tjetër e plaçkitjes së qytetarëve

AlternAtivA: “Taksa ekologjike” e Qeverisë është ana tjetër e plaçkitjes së qytetarëve

Duke i ndjekur zhvillimet e fundit në vend, AlternAtivA shpreh shqetësimin e saj të thellë për veprimet që po i ndërmerr qeveria Zaev, të cilat në vazhdimësi po e rëndojnë gjendjen financiare edhe ashtu të dobët të qytetarëve. I tillë është edhe vendimi i paralajmëruar i Qeverisë për taksën e ashtuquajtur “të gjelbër”, të cilën Qeveria po tenton ta kontrabandojë në Kuvend me ndryshimin e Ligjit për mjedis jetësor, duke i vendosur këtij propozim-ligji flamur evropian, e me të duke ia vendosur qytetarit taksën prej 3.5 denarë për çdo litër të blerë të derivateve të naftës.
Këtu duhet t’i përkujtojmë qytetarët dhe opinionin se që prej momentit që Zaevi u bë kryeministër, pas zgjedhjeve të 26 dhjetorit 2016, çmimet e derivateve të naftës ishin siç vijon: Eurosuper 95 – atëherë 67 den. – tash 71 den,; Eurosuper 98 – atëherë 69 den. – tash 73 den.; Eurodizel – atëherë 53 den. – tash 63 den.; vaji ekstra i lehtë për amvisëri – atëherë 42 den. – tash 62.5den.; mazuti – atëherë 28.8 den./kg – tash 37,1 den./kg. Kjo i bie se, gjatë këtyre viteve të qeverisjes së tij, çmimi i benzinës është rritur për 4 den., i dizelit për 10 den., i vajit ekstra të lehtë për 20.5 den. dhe i mazutit për 8.3 den. Këto rritje të çmimit të derivateve të naftës nuk janë si pasojë e ndryshimeve të bursës në tregun botëror, por janë si pasojë e rritjes së akcizës që ka bërë kjo qeveri dy herë gjatë këtyre viteve qeverisëse. Ajo që vlen të theksohet dhe që është shqetësuese është rritja e çmimit të dizelit për 10 den., kjo për arsye se e prekë shumicën e popullsisë, të cilët për shkak të gjendjes financiare dhe shpenzimeve më të ulëta përdorin makina me djegie të dizelit.
E kur këtyre çmimeve tashmë të fryra ua shtojmë edhe "taksën ekologjike" prej 3.5 den., kjo bëhet barrë e papërballueshme për qytetarët dhe ekonominë e vendit. Kjo dëshmohet edhe me një kalkulim të thjeshtë: nëse në vitin 2017 një rezervuar prej 60 litrash me çmim 53 den. për litër ka kushtuar 3.180 den., pas vendosjes së taksës së gjelbër do të kushtojë 3.990 den., pra 810 den. më shumë.
Me këtë rast e kemi patjetër të theksojmë se nga një taksë e tillë pritet rritje afatshkurtre e çmimeve të përgjithshme për 0.3%, kurse në plan afatgjatë rritja do të jetë deri në 0.9%, kjo gjithnjë sipas ekspertëve financiarë vendas.
Krejt kjo na detyron që t’i drejtohemi qeverisë me pyetjen se pse çdoherë që i duhen para, ajo e godet xhepin e qytetarit? Pse për grumbullim të fondeve nuk shkurtoni nga zërat buxhetorë mallra dhe shërbime dhe pse nuk po e "ndalni" pak dorën nëpër tenderë, kur vetëm nga këto dy veprime do siguroheshin shumë më shumë se këto 50 milionët që ju i keni parashikuar për t’i grumbulluar, madje “rastësisht”, në një vit zgjedhor? Si duket, juve nuk ju bën fare përshtypje se me veprime të tilla e keni çoroditur, manipuluar e varfëruar qytetarin, edhe ashtu të shkërmoqur kësaj kohe pandemie.
Nëse dëshironi ta ndiqni BE-në me taksa ekologjike, po jua kujtojmë se rroga mesatare në BE është 2000 €, kurse tek ne është 460 €. Prandaj fillimisht ju sugjerojmë ta ndiqni BE-në në sundimin e ligjit dhe rritjen e standardeve jetësore për qytetarët e pastaj vendosni taksa të gjelbra.

Shkup, 06.07.2021

Close