AlternAtivA – Dega Kumanovë: BDI-ja abuzon me vauçerët për turizëm

AlternAtivA – Dega Kumanovë: BDI-ja abuzon me vauçerët për turizëm

AlternAtivA – Dega Kumanovë: BDI-ja abuzon me vauçerët për turizëm

Të nderuar qytetar të Kumanovës, të nderuara media, këto ditë Ministria e Ekonomisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut i prezantoi vauçerët e rinj për turizëm në vlerë prej 12.000 denarësh, me të cilët synohet zhvillimi i turizmit dhe ashtu të krijohet një mundësi që qytetarët tanë me të ardhura të vogla, të kenë mundësi t`i përdorin ato për pushime. Por, ajo që po bie në sy në lidhje me këta vauçerë janë dokumentet e shumta dhe ngatërresat e tjera që u vendosen qytetarëve tanë për ta fituar këtë të drejtë.
Duke parë se si Ministria e Ekonomisë e ka ndërlikuar procedurën për ta fituar këtë vauçer, kjo na shtyn të mendojmë se kështu po krijohen pengesa që pastaj të mund të abuzohet dhe në këtë mënyrë të joshen votuesit për zgjedhjet lokale, sidomos në Kumanovë.
Meqë BDI-ja në Kumanovë ka pësuar debakël në disa cikle zgjedhore radhazi, ne kemi dyshime të bazuara se kësaj radhe Ministria e Ekonomisë, që drejtohet nga kuadër i BDI-së, do t’i keqpërdorë vauçerët për turizëm, që përmes tyre ta rrisë votën. Në të vërtetë, nuk është hera e parë që BDI-ja tenton të bëjë presione të këtilla për vota në Kumanovë. Në çdo cikël të zgjedhjeve, qofshin ato parlamentare ose lokale, drejtuesit e kësaj partie kanë tentuar që përmes formave dhe mënyrave të ndryshme të abuzojnë me votat e kumanovarëve. Por, ka kaluar qëmoti ajo kohë kur BDI-ja i keqpërdorte shqiptarët e Kumanovës.
Sidoqoftë, ne ia bëjmë me dije BDI-së se në Kumanovë çfarëdo marifeti të provojë, kjo nuk kalon më. Atë e pret disfata e radhës. Kumanova tashmë është rreshtuar në anën e koalicionit opozitar AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët.
Krejt në fund dëshirojmë t’i porosisim qytetarët e Kumanovës dhe më gjerë, të cilët kanë mundësi të përdorimit të këtyre vauçerëve, që edhe nëse kanë presion nga ana e BDI-së, t`i marrin dhe t’i përdorin ato, pasi që ato para janë të tyre, janë nga buxheti i mbushur nga taksat dhe tatimet tona. Natyrisht, para kutisë së votimit dhe me votën e tyre duhet t’ua tregojnë vendin këtyre keqpërdoruesve të fondeve të buxhetit shtetëror. Ndërkaq, kur të vijmë ne në pushtet, krejt kjo do të jetë një histori e trishtë dhe askush më nuk do të jetë i kushtëzuar nga askush për asgjë. Ne kemi marrëveshje me votuesin e Kumanovës dhe asnjëherë nuk do të tolerojmë që e keqja t’i përsëritet!
Kumanova është në anën e drejtë të historisë.

AlternAtivA – Dega Kumanovë
Kumanovë, 16.06.2021

Close