Alternativa – Kumanovë: LSDM dhe BDI e ushqejnë diskriminim sportiv në Kumanovë

Alternativa – Kumanovë: LSDM dhe BDI e ushqejnë diskriminim sportiv në Kumanovë

Alternativa – Kumanovë: LSDM dhe BDI e ushqejnë diskriminim sportiv në Kumanovë

Të nderuar qytetarë të qytetit të Kumanovës, të nderuara media, sot jemi dëshmitarë të një gjendjeje të mjerueshme e cila ka kapluar sportet në qytetin e Kumanovës. Si një qendër e dikurshme sportive, e cila ka pasur klube në të gjitha sportet, në ligat elite të Maqedonisë së Veriut, por edhe në Evropë, sot Kumanova është në një gjendje të mjerueshme, gjë që reflektohet më së miri nga rezultatet e klubeve sportive.
Komuna e Kumanovës, që udhëhiqet nga binomi BDI-LSDM, në vend që të merret me zhvillimin e sporteve dhe ruajtjen e traditave sportive, ka vendosur që të heshtë. Ndonëse, për hir të së vërtetës, qytetarët e Kumanovës e dinë fort mirë se pushteti i LSDM-së nuk ka trajtim të tillë edhe kur bëhet fjalë për sportin që zhvillohet në pjesët maqedonase të qytetit. Në atë anë kemi pishinë, objekte për hendboll, pista për vrapim, patinazh, terrene për tenis, të gjitha këto të mbuluara nga buxheti i Komunës dhe burime të tjera financimi, të cilat mbushen edhe nga të gjithë taksapaguesit, përfshirë edhe qytetarët shqiptarë.
Siç e dimë, kryetari Maksim Dimitrievski u tregua i aftë në rinovimin e plotë të kompleksit sportiv në lagjen “Sokolana”, por shfaqi paaftësi në rregullimin e këndeve për fëmijë në Lagjen e Trimave, në lagjen “Dardania”, në parkun e qytetit të Kumanovës, si dhe në pjesët tjera të qytetit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Megjithatë, kulmi i neglizhencës së pushtetit BDI-LSDM është stadiumi i qytetit, i cili është lënë në gjendje të mjerueshme. Si duket LSDM-ja, por edhe BDI-ja, nuk janë aspak të interesuara për rregullimin e stadiumit të qytetit, aty ku dikur organizoheshin gara të ndryshme dhe ku reprezentacioni i Maqedonisë së Veriut zhvillonte ndeshje sportive me reprezentacionet e shteteve tjera. Hiç më mirë nuk është gjendja as me sallat sportive.
Pa u zgjatur në këto detaje shumë të njohura për kumanovarët, dëshirojmë të pyesim se a kanë përgjigje BDI-ja dhe LSDM-ja, si udhëheqëse të qytetit të Kumanovës, se pse kur shqiptarët mundohen që t`i shfrytëzojnë këto objekte sportive, trajtohen si të huaj dhe detyrohen të largohen me qëllim që të mos krijohen incidente? Ku është këtu koncepti multietnik i LSDM-së dhe ku është prirja gjelbëruese e BDI-së?
Po ashtu, meqë LSDM-ja në vitin 2016, në programin e saj zgjedhor, kishte premtuar se do ta rinovojë në tërësi stadiumin e qytetit të Kumanovës, madje duke paraqitur foto tredimensionale se si do të duket stadiumi i qytetit i rinovuar, e pyesim publikisht Maksim Dimitrievskin, ndërsa nëse ai nuk e di, në këtë pyetje mund të përgjigjen Martin Kostovski ose Oliver Ilievski, se deri ku është gjendja me stadiumin e Qytetit të Kumanovës dhe premtimin e vitit 2016?
Të nderuar drejtues të Kumanovës, edhe sa do të vuajë sporti në përgjithësi dhe sporti shqiptar në Kumanovë në veçanti nga binomi BDI-LSDM?
Sidoqoftë, ne e dimë se ju keni shkelur dhjetëra premtime dhe nuk skuqeni më, por e mira është se në vjeshtë janë zgjedhjet lokale dhe ju do ta merrni përgjigjen për të gjitha këto mashtrime. Ka ardhur koha që ata që nuk i mbajnë premtimet për qytetarët e Kumanovës ta lirojnë rrugën dhe të shkojnë në shtëpi.
Kumanova ka Alternativë!

Alternativa – Kumanovë

Kumanovë, 10.06.2021

Close