AlternAtivA: Bujq nuk janë vetëm ata nga Strumica e Kryeministrit dhe nga Prespa e ministrit të Bujqësisë

AlternAtivA: Bujq nuk janë vetëm ata nga Strumica e Kryeministrit dhe nga Prespa e ministrit të Bujqësisë

AlternAtivA: Bujq nuk janë vetëm ata nga Strumica e Kryeministrit dhe nga Prespa e ministrit të Bujqësisë

Sot, pasi që disa bujq të zonës së Hasanbegut dhe Haraçinës ishin në vizitë te kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, po e shfrytëzojmë këtë rast që t’i drejtohemi opinionit për ta informuar për ankesat e tyre dhe për qëndrimin tonë kundrejt kërkesave të parashtruara.
Ashtu siç na njoftuan bujqit, pas vërshimit të vitit të 2018 në këtë zonë, kur shumë toka bujqësore u dëmtuan dhe shumë kultura bujqësore u shkatërruan plotësisht, qeveria e pati premtuar se të gjithë këta bujq të dëmtuar do të dëmshpërblehen. Megjithatë, kanë kaluar gati tre vite dhe kjo nuk ka ndodhur. Madje, ndonëse edhe në fushatën e fundit zgjedhore ai premtim u ishte përsëritur nga LSDM-ja dhe filialet e saj, në realitet nuk ka ndodhur asgjë. Ndërkohë janë shpërblyer bujqit e Strumicës, të dëmtuar nga reshjet e korrikut të vitit 2018, si dhe bujqit Prespës, që ishin dëmtuar nga reshjet e majit të vitit 2019. Kjo është arsyeja që këta bujq, larg përkatësive politike dhe etnike, po u drejtohen partive politike për të kërkuar mbështetje për të drejtën e tyre të nëpërkëmbur.
Ajo që mbetet indikative në këtë rast është pse mund të dëmshpërblehen bujqit e Strumicës së Kryeministrit dhe të Prespës së ministrit të Bujqësisë, gjë që paraqet jo vetëm skandal, por edhe diskriminim shumëplanësh me shenja korrupsioni, por jo edhe ata të Haraçinës e të Hasanbegut? Këtu nuk duhet harruar se jo më larg se javën e kaluar ministri i Bujqësisë ishte protagonist i aferës së shpenzimeve prej 23.000 euro për tre muaj vetëm për ushqim dhe kafe. Shikuar nga pozicioni i bujqve, nuk mund të mos dyshohet se ky ministër po sillet me paratë e tyre si të jenë pronë e tij private dhe mbase këto shpenzime janë adresa edhe për pyetjen se pse bujqit e Hasanbegut dhe të Haraçinës nuk janë dëmshpërblyer.
Me këtë rast kryetari i Alternativës, që është njëherazi edhe deputet i zonës përkatëse u ka premtuar bujqve se ai do të angazhohet për çështjen e tyre dhe se ai dhe AlternAtivA do të jenë avokatë të tyre në Kuvend dhe kudo që do të shtrohet kjo temë.

AlternAtivA – Shkup

Shkup, 20.04.2021

Close