PLATFORMA VATRA

AlternAtivA

– Platforma për parandalimin e shpërnguljes “Vatra jonë” –

Në kohën kur procesi i integrimit të vendit ka marrë rrugë të mbarë dhe, përkundër vonesave, është një rrugë që nuk ka prapakthim, të gjithë faktorëve politikë në vend u bie për detyrë të bëjnë analizën e perspektivës së Maqedonisë e Veriut në vitet e ardhshme, duke i marrë në konsideratë mundësitë zhvillimore, ndërsa partive politike shqiptare u bie për detyrë të kujdesen në mënyrë të veçantë edhe për të ardhmen e komunitetit shqiptar në këtë shtet.

Kundruar kështu, tashmë nuk është vështirë të konstatohet se, përkundër problemeve të pambyllura politike, në kuptim të marrëdhënieve ndëretnike, por edhe korrupsionit të lartë, si edhe mungesës së shtetit ligjor, problemi më i madh i Maqedonisë së Veriut e, rrjedhimisht, edhe i shqiptarëve këtu, është shpërngulja masovike e të rinjve dhe zbrazja e vendbanimeve.

Duke mos i mbyllur sytë para këtij problemi, AlternAtivA – si parti e spektrit të djathtë, që angazhohet për ta ruajtur praninë e popullsisë në këto troje – konsideron se parandalimi i shpërnguljes është detyrim i joni historik, etnik, kulturor dhe religjioz.

Ne e kemi për detyrë dhe amanet të shumë brezave, që kanë pasur halle shumë më të mëdha se tonat, që mos t’i braktisim vatrat shekullore e stërgjyshore, sepse ashtu – pos tjerash – bëhemi edhe zbatues të elaborateve famëkeqe të shekullit të kaluar për shpërnguljen e detyrueshme të popullatës shqiptare nga këto hapësira.  

Nisur nga kjo, si parti pjesëmarrëse në pushtetit ekzekutiv, AlternAtivA do t’ia propozojë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut një “Strategji shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”, e cila pasi të miratohet, do të fillojë me implementimin e masave të propozuara. Por, ndërkohë, Alternativa do të komunikojë me ekspertët dhe qytetarët e tjerë për t’i identifikuar saktë arsyet e shpërnguljes dhe për të propozuar masa për parandalimin e kësaj dukurie.

Duke e analizuar këtë dukuri, Alternativa e prodhon dokumentin “Platforma për parandalimin e shpërnguljes VATRA JONË”, me të cilin i vendos kornizat e strategjisë së sipërpërmendur dhe i përcakton orientimet e zgjidhjes së këtij problemi akut.

Platforma “Vatra jonë” është një dokument që është prodhuar për të trokitur në ndërgjegjen tonë personale dhe kolektive për rëndësinë e ruajtjes së gjeografisë sonë, kjo për arsye historike dhe identitare. Bjerrja e gjeografisë sonë është edhe brejtje e identitetit tonë dhe zhdukje e gjurmëve tona në këto troje.

Duke qenë të bindur në këtë, Alternativa – përmes platformës “Vatra jonë” – i ka përcaktuar arsyet e shpërnguljes së madhe të popullsisë nga Maqedonia e Veriut dhe, veçmas, të të rinjve shqiptarë. Sipas saj, këto arsye janë:

  • Mungesa e vendeve të punës në vend dhe mundësitë që i ofron tregu perëndimor i punës;
  • Rrogat e ulëta;
  • Politizimi i punësimit në sektorin publik;
  • Nepotizmi i punësimit në sektorin publik;
  • Mungesa e perspektivës në karrierë në sektorin publik;
  • Mungesa e ofertës në sektorin privat, për shkak se punëdhënësi më i madh mbetet shteti;
  • Politizimi i plotë i shtetit, pra edhe i sektorëve bujqësorë, industrialë, energjetikë etj.;
  • Mungesa e ofertës zhvillimore nga partitë politike;
  • Kriminalizimi dhe klanizimi i skenës politike, veçmas asaj shqiptare;
  • Korrupsioni i lartë në gjithë shoqërinë dhe shtetin;
  • Gjyqësori i politizuar;
  • Mungesa e strategjisë që arsimi i mesëm të lidhet me nevojat e tregut të punës;
  • Mungesa e cilësisë në arsim, veçanërisht rënia e cilësisë në arsimin e lartë;
  • Shëndetësia e sëmurë dhe e komercializuar në dëm të pacientit e për dobi të sektorit privat e kompanive farmaceutike;
  • Mirëqenia sociale që nuk mundëson jetë dinjitoze;
  • Mungesa e projekteve kulturore dhe e frymës që e stimulon zhvillimin e artit;
  • Rritja e ekstremizmit dhe dhunës;
  • Mjedisi jetësor dhe uji i ndotur që shkakton sëmundje të pashërueshme etj.

Duke i pasur në konsideratë këto arsye, ndërsa duke pretenduar që një ditë të jemi anëtarë të Bashkimit Europian, por edhe duke synuar që ta mbrojnë demografinë tonë shtetërore dhe etnike, veçmas duke pasur kujdes që mos të shkapërderdhet truri i jonë nëpër botë vetëm për arsye komerciale dhe vatrat tona të mos mbeten djerrinë, Alternativa – me platformën “Vatra jonë” – i propozon disa masa, që – përmes punës së ekspertëve – do të detajohen dhe do të jenë pjesë e dokumentit “Strategjia shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”.

Masat për parandalimin e shpërnguljes:

  • Depolitizimi i punësimit në sektorin publik dhe konkurrenca e drejtë;
  • Krijimi i mundësive që sektori privat të jetë punëdhënësi më i madh në vend;
  • Hapja e Bankës Bujqësore për ta stimuluar zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë;
  • Mundësia e kredive të vogla zhvillimore për hapje të bizneseve të vogla dhe të mesme, që mund të jenë back up për tregun europian, qofshin ato kooperativa bujqësore e blegtorale ose edhe kompani të industrisë së lehtë të drurit, të tekstilit, të ushqimit etj.;
  • Zhvillimi i teknologjisë dhe i digjitalizimit për punë on line;
  • Lufta kundër korrupsionit dhe ekonomisë informale;
  • Ngritja e arsimit cilësor dhe komplementar me nevojat tregut vendor dhe ndërkombëtar;
  • Kujdesi për arsimin e mesëm si mundësi për profesionalizimin e hershëm të të rinjve;
  • Mundësia që shëndetësia të jetë e qasshme për të gjithë qytetarët njësoj pa favorizime dhe abuzime me këtë sektor;
  • Krijimi i potencialeve që mirëqenia sociale të mundësojë jetë dinjitoze për secilin qytetar në vend, pavarësisht statusit social;
  • Stimulimi i familjes, duke ndihmuar financiarisht martesën e të rinjve, duke ofruar kredi të lira banesore për çiftet e posamartuara dhe duke subvencionuar për fëmijët e lindur; 
  • Lufta kundër secilës formë të diskriminimit;
  • Lufta kundër të gjitha trajtave të ekstremizmit dhe dhunës dhe krijimi i programeve edukative, kulturore dhe artistike për ta mbrojtur rininë nga dukuritë e tilla;
  • Stimulimi i projekteve artistike të institucioneve nacionale të kulturës, si edhe atyre të sektorit civil, por veçmas stimulimi i artistëve të rinj;
  • Zhvillimi i turizmit malor dhe kulturor;
  • Zhvillimi i sportit dhe projekteve rekreative.

Platforma “Vatra jonë” konsideron se këto pika, si pjesë e “Strategjisë shtetërore për parandalimin e shpërnguljes së popullsisë”, do të jenë binarë nëpër të cilët shteti, në të ardhmen, do të punojë më shumë në këtë drejtim, ndërsa kjo platformë do të jetë një kornizë që edhe partitë shqiptare në pushtet të mund të thirren në këtë strategji për të kërkuar fonde dhe mundësi implementimi të saj, në mënyrë që ajo të reflektojë me vende pune, rroga të larta, mirëqenie sociale dhe zhvillim ekonomik, në mënyrë që të japë efekte për ta parandaluar shpërnguljen.

Vatrat tona janë amanet!

Vatra jonë – AlternAtivA jonë!

Shkup, tetor 2019