Deklaratë politike

Këshilli i përgjithshëm

Republika e Katërt

– Deklaratë politike –

Duke e njohur historinë e Republikës së Parë të Maqedonisë, të themeluar pas Luftës së Dytë Botërore me emrat Republika Popullore e Maqedonisë dhe, më vonë, Republika Socialiste e Maqedonisë, kur Maqedonia për herë të parë u bë republikë federale në kuadër të Jugosllavisë sipas modelit të republikave të tjera jugosllave një gjuhë-një komb-një shtet;

Duke e njohur historinë e Republikës së Dytë të pavarur të Maqedonisë, që doli nga Jugosllavia e shpërbërë dhe u miratua në referendumin e 8 shtatorit të vitit 1991, duke e ruajtur modelin e shtetit njëetnik,

Duke e njohur historinë e Republikës së Tretë të Maqedonisë, të krijuar me Marrëveshjen e Ohrit, që kishte për synim kohezionin ndëretnik dhe shtetin multietnik, që megjithatë ngeci për shkak të aktorëve politikë dhe mungesës së vullnetit politik për implementimin e saj,

Duke e njohur historinë e Republikës së Katërt të Maqedonisë, që nga 11 janari i këtij viti quhet Republika e Maqedonisë së Veriut, tashmë e gatshme për t’u anëtarësuar në NATO dhe për t’i filluar bisedimet për aderim në BE;

Por, edhe:

Duke qenë aktor dhe faktor në skenën politike të Republikës së Maqedonisë së Veriut,

Duke qenë të vëmendshëm dhe koshientë për rrethanat politike, ekonomike dhe kulturore të vendit tonë,

Duke i pasur parasysh interesat kombëtare, shtetërore dhe gjeopolitike,

Duke e ndjerë zërin e qytetarit, që kërkon zgjidhje për asimetrinë e shoqërisë dhe shtetit në Maqedoni,

Organizata politike AlternAtivA, në këtë konventë promovuese, i miraton këto konkluzione:

Pasi që Republika e Maqedonisë së Veriut e ka mbyllur procesin e shtetndërtimit dhe pranimit nga fqinjët dhe është një hap para anëtarësimit të plotë në NATO dhe disa hapa para aderimit në BE;

Pasi që Republika e Maqedonisë së Veriut në këto momente të kthesës e ka ndjerë mbështetjen e të gjitha komuniteteve në vend për këtë agjendë euro-atlantike,

Pasi që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka mbyllur kontestimet e jashtme,

E ka momentin e pikërishëm që, duke e themeluar Republikën e Katërt, ta bëjë simetrizimin e shoqërisë shumetnike me shtetin njëetnik, që përfundimisht t’i përmbyll edhe kontestimet e brendshme në vend, duke prodhuar një shtet koheziv, inkluziv dhe gjithëpërfshirës për të gjitha komunitetet në vend. Kjo nënkupton një përkufizim të ri shtetit si shtet plotësisht qytetar, pra i deetnizuar, ose një shtet me kategorizimet etnike të bartësve të sovranitetit.

AlternAtivA gjykon se, përmes një dialogu të hapur, pa trysni e shtrëngime, por me vullnet të mirë e synimin e arritjes së një shteti që i ka mbyllur të gjitha kontestimet dhe që agjendën e vetme e ka zhvillimin ekonomik, Maqedonia e Veriut mund të shndërrohet në storje të suksesit përtej asaj që është vlerësuar si sukses me Marrëveshjen e Prespës.

Ne kemi Alternativë. Ajo është Republika e Katërt e Maqedonisë së Veriut – një shtet simetrik shumetnik, funksional, i drejtë, i zhvilluar dhe i barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje, gjinie, profesioni ose përkatësie tjetër.

Shkup, 9 mars 2019