AlternAtivA: Kërkojmë nga Presidenti të mos e nënshkruajë faljen për Boban Iliqin

AlternAtivA: Kërkojmë nga Presidenti të mos e nënshkruajë faljen për Boban Iliqin

AlternAtivA: Kërkojmë nga Presidenti të mos e nënshkruajë faljen për Boban Iliqin

Pas informacionit se ministri aktual i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, ka kërkuar që Presidenti Pendarovski ta falë edhe Boban Iliqin – të dënuar për mbytjen e Almir Aliut të vogël më 25.06.2016, sot jemi këtu që edhe zyrtarisht të kërkojmë nga Presidenti që mos ta nënshkruajë këtë falje.
Kjo falje nuk duhet të ndodhë jo vetëm për arsye se kush e fal kriminelin e amniston krimin, por edhe për arsye se ky është ndër rastet që e ka lëkundur rëndë besimin ndëretnik, andaj falja e të dënuarit do ta thellojë edhe më shumë mosbesimin jo vetëm ndaj institucioneve të drejtësisë, por edhe ndaj vetë institucioni të Presidentit, ndërsa do të ndikojë keq edhe në marrëdhëniet ndëretnike në vend.
Me këtë rast kërkojmë publikisht edhe nga kryeministri Zaev që t’ia kujtojë vartësit të tij, ministrit të Drejtësisë Mariçiq, se më 5 dhjetor ai ka nënshkruar me kryetarin e Alternativës, Afrim Gashi, një marrëveshje bashkëpunimi, në të cilën njëra nga pikat ka qenë edhe dakordimi që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut të kërkojë nga Komisioni Europian një hetim ndërkombëtar për rastet gjyqësore, për të cilat dyshohet se ka implikim politik, ku është përfshirë edhe rasti i Almir Aliut të vogël.
Duke shpresuar se as kryeministri aktual e as kryeministri i ardhshëm nuk dëshirojnë ta luhatin kaq shpejt bashkëpunimin me Alternativën, presim nga ata që ta tërheqin këtë kërkesë nga Presidenti dhe, në anën tjetër, menjëherë të fillojë zbatimi i marrëveshjes së dakorduar Gashi-Zaev, ku ky rast duhet të marrë një udhë tjetër.

AlternAtivA – Shkup

Shkup, 20.12.2021

Close