Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Visar Betonit po ia dhurojmë një thes çimento

Të nderuar gazetarë dhe ju qytetarë,
Jemi sot këtu para Komunës së Çairit, që në frymë të agjendës së re mjedisore që e ka shpallë Bashkimi Demokratik për Gjelbërim, ta ndihmojmë kryetarin e Çairit, z. Visar Ganiu, për gjelbërimin e Çairit tonë. Siç e dini tashmë, Çairi është komuna më e gjelbër në Maqedoninë e Veriut dhe prandaj është nominuar për çmimin e madh prestigjioz të ndërkombëtar të OKB-së për komunën më të gjelbër në botë.
Si kryetar që për katër vite ka arritur ta gjelbërojë çdo kënd të Çairit tonë, ta eliminojë çdo beton të tepërt dhe ta luftojë betonizimin e Çairit, ne e kemi për detyrim që ta falënderojmë atë dhe si mirënjohje t’ia dorëzojmë këtë thes çimentoje, që të mund t’i ndërtojë disa shtigje betoni për këmbësorë rreth parqeve dhe luleve që i ka mbjellë në Çair. Ne e dimë se ai e urren betonin, andaj nuk ka ndërtuar asnjë pëllëmbë betoni gjatë këtyre viteve në Çair, por do ta lusim me mirësi që ta pranojë këtë thes çimentoje, sepse atij vetë kurrë nuk do i shkonte mendja të ndërtojë një milimetër betoni.
Pasi që ta fitojë çmimin “Komuna më e gjelbër në botë”, jemi të sigurt se Visar Ganiu do të ftohet ta drejtojë edhe Komunën e Kopenhagës, që edhe danezët t’i mësojë se si bëhen komunat e gjelbra. Përvoja e tij në krijimin e zonave të gjelbra do të ishte veçanërisht e dobishme për vende të betonizuara, siç janë shtetet skandinave. Kjo është arsyeja që ne sot po e nderojmë me këtë thes çimentoje dhe po e shprehim ngazëllimin tonë që komuna jonë drejtohet nga një kuadër kaq cilësor, kaq mjedisor dhe kaq jeshilor.
Zaten, puna e kryetarit Visar Ganiu nuk ka si shpjegohet ndryshe, pos me fjalën e urtë se “lulja s’bëhet me kontrata, por me shata e lopata”. Punë e mbarë, Jeshilkryetar!

Shkup, 11.06.2021