AlternAtivA: Identiteti gjinor nuk është përjetim personal, por identitet natyror

Duke qenë në Ditën Ndërkombëtare të Prindërve, që përkon edhe me kohën kur në procedurë kuvendore te ne është futur propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për evidencën amë, AlternAtivA, si parti parlamentare konservatore, është këtu që ta shprehë qëndrimin e saj përkitazi me këtë propozim-ndryshim dhe të deklarohemi për mbrojtjen e prindërve dhe të prindërisë.

Sipas nesh, mbrojtja e familjes tradicionale dhe e prindërve duhet të jetë një detyrë dhe përkushtim i gjithë shoqërisë, siç është përshkruar edhe në shumë konventa ndërkombëtare dhe akte të tjera të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkaq, sa i takon çështjes së dytë, pra propozim-ndryshimit të Ligjit për evidencën amë, duhet të shpjegojmë se ideja e këtij ndryshimi është që, duke u nisur nga ideja liberale se identiteti gjinor është përzgjedhje dhe përjetim personal e jo identitet natyror i njeriut, të mundësohet që personat që dëshirojnë, të mund ta ndryshojnë identitetin e tyre edhe në evidencën amë, në certifikata dhe dokumente personale, madje edhe të mos kenë fare përcaktim gjinor, duke u regjistruar si gjinia “Tjetër”.

Propozues i këtij ndryshimi ligjor është Qeveria e Republikës së Maqedonisë, ku bëjnë pjesë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim dhe disa filiale shqiptare të LSDM-së, por që e kanë pranuar këtë dhe, madje, do të jenë mbështetësit e këtij ligji në Kuvend. Në mesin e atyre që kanë nënshkruar këtë propozim është edhe zëvendësministri i Drejtësisë, nga radhët e BDI-së, Agim Nuhiu.

Sidoqoftë, pavarësisht se ky ligj ka ardhur në Kuvend me flamur europian, edhe pse vendet kryesore evropiane, si Britania e Madhe e Franca, nuk e kanë miratuar një ndryshim të këtillë, qëndrimi i AlternAtivA-s është se ky ligj bie ndesh me përcaktimet programore të partive konservatore europiane, siç jemi edhe ne. Për ne ekzistojnë vetëm dy gjini dhe ato janë natyrore – “Mashkull” dhe “Femër” dhe ato nuk janë kategori të ndryshueshme, por të lindura. Sipas nesh, secili që me forma të tjera plastike e ndryshon gjininë e tij të lindur për çfarëdo arsye, kjo është e drejtë e tij personale, por kjo nuk ka nevojë dhe nuk duhet të reflektohet edhe në legjislacionin vendor.

Prandaj deputetët tanë do të jenë KUNDËR këtyre ndryshimeve ligjore dhe ne do të jemi konsistentë në qëndrimin tonë, ndërsa shpresojmë se qytetarët do t’i mbajnë mend edhe ata deputetë që do ta votojnë këtë ndryshim ligjor.

Me këtë rast u bëjmë thirrje edhe partive të tjera në vend, veçanërisht atyre të spektrit të djathtë, por edhe komuniteteve fetare, si edhe OJQ-ve që besojnë në këto vlera, që të na bashkohen në këtë qëndrim, sepse pranimi i ndryshimit të identitetit gjinor nënkupton edhe ndryshim të identitetit të familjes sonë, madje edhe të shtetit tonë. Nëse Britania e Madhe dhe Franca ende hezitojnë ta bëjnë këtë, pse gjithë kjo ngutje që ta bëjmë ne?!

AlternAtivA – Shkup

Shkup, 01.06.2021