Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët: Izolimi nuk mbulon mungesën e imunizimit

Siç morëm vesh nga mediat, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me rekomandim të Komisionit për Sëmundje Infektive, në mbledhjen e sotme mori vendim që prej nesër, nga orës 22.00 deri në orën 05.00 të mëngjesit, në gjithë territorin e RMV-së të fillojë ora policore, kjo me arsye të kufizimit të mundësisë për përhapje të virusit
Duke u nisur nga kjo, Koalicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët gjykon se ky vendim është jashtë çdo logjike, duke e pasur parasysh se edhe deri tash lokalet dhe restorantet janë mbyllur në orën 21.00. Nëse masa e izolimit nuk është bërë në muajt tetor-dhjetor 2020, kur ishte arritur kulmi i shifrave të infektimeve dhe vdekjeve, kujt i vlen ky izolim tash dhe, aq më shumë, pas orës 22.00? Veç nëse është ndonjë plan për transportim të lirë të materieve të ndaluara, siç janë narkotikët që po “vidhen” shpesh nga depotë e MPB-së, sepse – në të kundërtën – edhe ashtu pas orës 21.00 shteti është gati në izolim të plotë.
Me sa duket, kjo qeveri edhe një herë po dëshmon se nuk ka një strategji të mirëfilltë në luftën kundër virusit Covid 19, andaj joseriozitetin e saj në sigurimin e vaksinës Covid 19 dëshiron ta mbulojë më tallje të re me qytetarët e vendit. Kështu, në vend të imunizimit të popullatës, qeveria vendosë ta bëjë izolimin e saj.
Sidoqoftë, duke mos dashur të besojmë se ky vendim është uverturë në kufizimet e planifikuara për muajin e Ramazanit, Koalicioni AlternAtivA dhe Aleanca për Shqiptarët propozon që Qeveria të mos i pengojë besimtarët myslimanë nga iftaret familjare dhe ritet e tjera religjioze, që edhe ashtu deri tash janë zhvilluar nën respektimin e masave të parapara.

Shkup, 09.03.2021 Koalicioni Alternativa dhe Aleanca për Shqiptarët – Shkup