AlternAtivA: Me borxhin 700 milionë euro Qeveria e rrit faturën e qytetarëve

Pas njoftimit se Qeveria e Maqedonisë së Veriut hyri në borxh të ri për 700 milionë euro, AlternAtivA shpreh shqetësimin e saj se borxh i ri i Qeverisë do ta rëndojë edhe më shumë gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve. Në njoftimin e Qeverisë thuhet se 500 milionë euro do të shfrytëzohen për kthimin e borxhit të mëparshëm, ndërsa për t’i fituar 200 milionë të tjerat i kanë futur në borxh të ri qytetarët për 700 milionë euro. Dhe, ky borxh duhet të paguhet deri në mars të vitit 2028 ndërsa kësti vjetor do të jetë 1.6 për qind.
Ne gjykojmë se, ashtu siç e ka zakon kjo shumicë qeveritare kur gjendet para zgjedhjeve, një pjesë të mjeteve të huazuara do t’i shfrytëzojë për larjen e borxheve të komunave, të cilat menaxhohen nga kjo përbërje. Në anën tjetër, fatkeqësisht, të gjithë jemi dëshmitarë të keqmenaxhimit të skajshëm të parave publike nga krerët e komunave. Kjo i bie se ata vazhdojnë të abuzojnë me financat publike, ndërsa faturën e tyre e paguajnë qytetarët.
Nisur nga kjo, AlternAtivA propozon që këto mjete të shfrytëzohen për sigurimin e vaksinës Covid 19 dhe t’u jepet mbështetje ekonomike shtesë qytetarëve e jo që ato mjetet të përdoren për shpëtimin e karrierës së figurave të konsumuara politike.

Shkup, 04.03.2021 AlternAtivA – Shkup