Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA: Çfarë selame dërgoi e mori Bujar Osmani nga Vuçiqi

Dje (e enjte -18.02.2021) ministri i Jashtëm i Republikë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, qëndroi për vizitë në Beograd. Mund t’i ketë mbetur merak ose ta ketë xhelozuar Artanin, që nuk kishte dalë ta takojë Vuçiqin në Tabanoc, apo ka pasur arsye tjetër, këtë nuk e dimë, por ama kjo “dashuri” me Serbinë është paska indikative. Nuk kanë kaluar as disa ditë kur Vuçiqi u tall me shtetin tonë me një kuti vaksinash, që ministri i Jashtëm të vrapojë përsëri te ai.
Në vend që ministri i Jashtëm ta ketë orientim Tiranën e Prishtinë, madje edhe Sofjen – për ta zgjidhur kontestin maqedono-bullgar, kjo vardisje ndaj Serbisë flet se ose duan ta vazhdojnë miqësinë e Fatmir Besimit me gjeneralët serbë, që kanë kryer krime në Kosovë, ose kërkohet ndihmë nga Vuçiqi për ta shpëtuar qeverinë e “kryeministrit shqiptar” Zaev?! Apo, mos ndoshta vizita e tij ka lidhje me procesin e tërheqjes së njohjeve të Republikës së Kosovës,që sponsorizohet nga Vuçiqi?! Arsye tjetër nuk ekziston.
Sido që të jetë, kjo vardisje ndaj Vuçiqit, në kohën që ai e kërcënon Kosovën dhe, madje shfaq prirje antieuropiane, kërkon një shpjegim nga ministri i Jashtëm ose nga shefi i tij, Zaev.
Në të kundërtën, heshtja – përveç që krijon amulli – na detyron të konstatojmë se Jugosllavia e re, për të cilën reaguam, nuk është ide pa përmbajtje. Kjo është arsyeja që ne – si koalicion opozitar shqiptar – na duhet t’ia kujtojmë ministrit të Jashtëm dhe shefave të tij se ata mund t’i kthejnë antenat kah Beogradi, por skenat që do t’i shohin në ato ekrane mund të mos u pëlqejnë fare.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA

Shkup, 19.02.2021