AlternAtivA: Dënimi me burg i prindit të Almir Aliut është vrasje e shumëfishtë për këtë familje

 

 

 

Këto ditë u njoftuam se babanë dhe vëllain e Almir Aliut, të mbytur me makinë më 1 qershor 2016 në Kumanovë, Gjykata Themelore e Kumanovës i ka dënuar me burg 9, respektivisht 6-mujor për shkaktim të dhunës. Në anën tjetër, siç e dimë tashmë, Boban Iliq – vrasësi i fëmijës Almir Aliu, në vend se për vrasje me paramendim, është gjykuar për vrasje “në aksident trafiku”, ndërsa – për paradoks – prindi dhe xhaxhai i viktimës gjykohen me burg për shkaktim të dhunës.

Këtyre gjykimeve etnocentrike të gjykatave të etnizuara e të politizuara maqedonase nuk u gjendet shpjegim as në përrallën e ujkut me qengjin, ku viktima është fajtor vetëm pse është më i dobët. Ndonëse e kemi thënë shumë herë, por në këtë rast duhet ta përsërisim se gjyqësia në vendin tonë duhet të përjetojë ridefinim radikal e rrënjësor, sigurisht me një mbikëqyrje ndërkombëtare e duke i eliminuar të gjitha mundësitë e abuzimit të saj për qëllime politike, etnike a të tjera. Kjo edhe është arsyeja e insistimit tonë për aderim të detyrueshëm në BE, sepse vetëm ashtu e shohim shpresën që ky gjyqësor të mund të shpëtojë nga kapja që ia ka bërë shteti i thellë ndër vite, gjë që ka bërë që vendimet e gjykatës të merren në zyrat e shërbimeve sekrete antishqiptare.

Këtu nuk mund të mos e theksojmë se jo më pak fajtorë janë ata shqiptarë që për kaq vite kanë qenë në pushtet dhe në këtë drejtim nuk kanë bërë gati asgjë, pos që i kanë punësuar disa aktivistë partiakë dhe kanë krijuar kuadro që t’i mbrojnë ata nga krimet e abuzimet e bëra, siç është edhe punësimi i vëllait të vrasësit Boban Iliq, po ashtu pjesëmarrës në vrasjen e Almirit.

Nisur nga kjo, AlternAtivA kërkon që vëllezërit Aliu të shpallen të pafajshëm dhe familjes së tyre t’u paguhet dëmshpërblim për krejt vuajtjet e shkaktuara në këto 5 vitet e fundit.

 

 

AlternAtivA – Shkup

 

 

 

18.02.2021