(+VIDEO) Fjalimi i plotë i deputetit të Alternativës në Kuvend, Dr. Hysni Ismaili, në lidhje me diskutimet mbi Avokatin e Popullit

Meqë jemi sot në pikën e propozuar për zgjedhjen e kandidatit për Avokat të Popullit, më lejoni që si deputet i opozitës ta them qëndrimin tim, por edhe të subjektit tim në lidhje me këtë propozim.
Një proverb, që besoj se e dini të gjithë, thotë se “në dashuri dhe në luftë çdo gjë është e lejuar”. Duke qenë para këtij propozimi dhe duke e dëgjuar debatin për këtë propozim, do të thosha se nëse këtë do ta dëgjonte autori i këtij proverbi, do të shtonte se “edhe në politike çdo gjë është e lejuar”! Pra, me këtë propozim përfundimisht bie morali, dinjiteti dhe integriteti i individit, ndërsa – më keq se kaq – për interesa partiake e personale, me këtë propozim, sakrifikohet edhe drejtësia dhe e ardhmja e qytetarëve të këtij shteti. Në të vërtetë, me këtë propozim vetëm një gjë mbetet korrekte – ajo është korrektësia e Bashkimit Demokratik për Integrim ndaj kandidatit për Avokat të Popullit. Me këtë propozim BDI ia kthen borxhin kandidatit të saj për kryeministër, pavarësisht se çmimin e kësaj do ta paguajmë ne, qytetarët.
Nëse më lejohet të bëj një përshkrim, do të saktësonim se kandidatin e propozuar kjo parti e futi në valle me sloganin “koha për kryeministrin e parë shqiptar”, edhe pse edhe ajo parti edhe ai si kandidat e dinin shumë mirë se ai ishte një blof ose mashtrim parazgjedhor. Sidoqoftë, ata e shëtitën atë në vapën e korrikut, duke e endur gjithandej nëpër fshatrat e mëhallët e Maqedonisë Perëndimore, derisa ai u lodh duke i mbajtur duart lart në shenjë triumfi, edhe pse edhe vet ai e dinte se thjesht po luan rolin e dhënë nga regjisor i pafat. Megjithatë, ai i duroi ato vuajtje, sepse matematika dhe marrëveshja ishte diçka tjetër. Dhe, ja erdhi dita kur ai duhet të shpërblehet për mundin e dhënë – 8 vjet Avokat Populli dhe pastaj një pension i lumtur.
Të mos keqkuptohemi! Unë nuk kam asgjë personale me kandidatin e përmendur. Madje, as nuk e njoh personalisht. Për të më parë kam dëgjuar vetëm fjale miradije, se është avokat i përgatitur, ish politikan, deputet, ministër, noter dhe njeri i librit. Por, më vjen keq që ky njeri karrierën e tij duhet ta mbyllë me këso pazari. Si duket, ai nuk e ka marrë leksionin se nderi vlen më shumë se posti.
Ta shtrojmë një pyetje hipotetike: a do të propozohej ky kandidat për postin e Avokatit të Popullit nëse nuk e bënte shërbimin e fundit për BDI-në, pra vetëm për arsye te kualifikimeve profesionale që i ka? Të gjithë e dimë se përgjigjja është mohuese. Dhe, pikërisht kjo përgjigje është dëshmi se ky post kaq i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve buron nga një pazar politik. Për këtë besoj jeni dakord të gjithë në këtë sallë. E nëse është kështu, shtrohet pyetja tjetër: kë do ta përfaqësojë dhe avokat i kujt do të jetë ky kandidat? Ma merr mendja se edhe kjo pyetje është retorike, sepse përgjigjen të gjithë e keni më. E derisa ne e dimë se ky kandidat vetëm Avokat i Popullit nuk do të jetë, sepse ai do të jetë gjithnjë peng i pazarit politik që e ka dërguar në këtë detyrë, ky është mesazh shumë i keq për tetë vitet e ardhshme të institucionit të Avokatit të Popullit. Mjerë populli çfarë avokatie e pret!
Sa për informacion të opinionit, edhe pse besoj se shumica e dini, ky post parasheh që kandidati të posedojë kualifikime të larta profesionale, por edhe morale e njerëzore, sepse ai duhet të jetë zëri i popullit kundrejt pushtetit. Ky post pret një kuadër apolitik, apartiak, të pavarur dhe pa bagazh e pa borxh politik ndaj dikujt. Ndërkaq te ky kandidat, për fat të keq, pas fushatës së fundit zgjedhore, këto atribute mungojnë dhe ai lë shumë për të dëshiruar në këtë aspekt.
Kjo edhe është arsyeja që të konstatojmë se me zgjedhjen e këtij personi për Avokat të Popullit vetëm kurorëzohet dhe vuloset kapja e shtetit nga politika dhe politikanët. Në vend që të jetë një post shpresëdhënës, që do jetë i pavarur dhe liman në të cilin do ankoroheshin të gjithë të pakënaqurit nga padrejtësitë e mëdha që bëhen në këtë shtet dhe adresë ku do gjenin strehim të shkelurit, hallexhinjtë e njerëzit pa përkrahje e mbështetje politike të kësaj ose të asaj partie, ai do të jetë një kuadër politik që do i shërbejë vetëm një partie dhe një strukture politike.
Prandaj, sa nuk është bërë vonë, i bëj thirrje propozuesit që të heqë dore nga ky kandidat dhe mos ta komprometojë edhe institucionin e fundit të shpresës së qytetarëve. I bëj thirrje, po ashtu, edhe kandidatit që të mos e pranojë këtë detyrë, që të mos i mbetet kjo njollë në karrierën e tij. Kemi kohë dhe kemi mundësi të gjejmë një kandidat që i plotëson të gjitha kushte për Avokat të Popullit, i cili nuk i bart këto probleme.

Të nderuar kolegë deputetë, mendoni mirë edhe se cili është mesazhi që me këtë zgjedhje ia dërgoni edhe Brukselit dhe miqve tanë ndërkombëtarë. Në kohën kur procesi i integrimit edhe ashtu është vënë në pikëpyetje, me këtë zgjedhje vetëm vuloset politizimi i institucioneve të drejtësisë. E nëse ju jeni të gatshëm ta bëni këtë, kjo vërtet nuk flet fare mirë për juve.

Ju faleminderit!

Hysni Ismaili, deputet