Urimi i kryetarit të AlternAtivA-s, Afrim Gashi, për Vitin e Ri 2021

Të nderuar qytetarë, më lejoni që, derisa i numërojmë orët e fundit të këtij viti, t’ju drejtohem për ta bërë një përmbledhje të vitit që e po e lëmë pas dhe për të uruar një vit të ri me shpresë e përpjekje të re.

Të nderuar qytetarë, besoj thellë se të gjithë ne jemi të lumtur që po lëmë pas vetes një vit, i cili në gjithë botën do të mbahet mend si vit i mbrapshtë, kur një virus e dëshmoi pafuqinë e njeriut dhe fuqinë e Zotit. Miliona viktimat e shkaktuara nga virusi Covid-19 do të jenë emrat e përveçëm të dhimbjes që e ka përshkruar këtë vit nga kjo murtajë. Që nga shkurti i këtij viti bota jonë ka qenë në ankth dhe ne po vazhdojmë të jetojmë ashtu. Duke u gjendur në këtë situatë pandemie, edhe vendi ynë dhe të gjithë ne e përjetuam në lëkurën tonë vështirësinë e jetës në kushte të këtilla. Natyrisht, si parti politike, nuk mund të mos konstatojmë se ndonëse vala e parë e virusit kaloi pak më lehtë, vala e re vjeshtore erdhi me pasoja fatale, që akoma po i vuajmë. Si subjekt opozitar, ndonëse kishim dhënë disa propozime që nuk u morën para sysh nga pushteti, sot mund të themi se një pjesë të madhe të fajit për këtë gjendje e bart pikërisht qeveria e vendit. Ajo, duke e ditur dhe duke i pasur të gjitha informacionet për atë që vijonte në këto muaj, u soll me indiferencë dhe neglizhencë, gjë që i kushtoi vendit me shumë jetë të humbura dhe me shumë infektime të tjera.
Viti 2020 do të mbahet mend sigurisht edhe për manipulimin e madh zgjedhor që u shkaktua me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut. Jo që më parë nuk kanë ndodhur dukuri të këtilla, por përmasat e manipulimit të këtij viti thjesht e shfytyruan vullnetin e votuesve, duke prodhuar një qeveri që ka shumicë de jure, por jo edhe de facto. Besoj se margaritari i këtij viti, sigurisht për të ardhur keq, mbetet premtimi parazgjedhor i partisë shqiptare në pushtet, pra “kryeministri shqiptar”, që pastaj pa u skuqur fare e duke e shndërruar mashtrimin në standard të politikës së tyre, u tërhoq për ta pranuar kryeministrin aktual dhe, për më keq, duke u përpjekur që ta kthejë këtë në një fitore. Mashtrimi i këtillë do të jetë i kushtueshëm sigurisht edhe një kohë të gjatë dhe e ka dëmtuar rëndë moralin publik politik dhe besimin e shqiptarëve të vendin tonë në aktorët politikë.
Nëse më duhet të deklarohem për punën e qeverisë së re, me keqardhje më duhet të them se kjo qeveri – si asnjë para kësaj e shpresoj edhe si asnjë pas kësaj – është qeveri e dështimit në katër planë shumë të rëndësishme. Vërtet pandemia ishte diçka që erdhi papritmas, por kjo nuk është arsye që ne të mos e themi se pasojat fatale të saj erdhën për shkak të keqmenaxhimit të saj nga kjo qeveri. Shifrat e të vdekurve dhe të infektuarve, si dhe mungesa e kapaciteteve spitalore e farmaceutike, janë dëshmi se për këtë gjendje, më shumë se pandemia, përgjegjësinë e ka qeveria. E kur kësaj i shtohet edhe informacioni se ne do të jemi ndër vendet e fundit që do të marrin vaksina, kjo po ashtu për shkak të pakujdesisë së këtij pushteti, bëhet i pallogaritshëm dhe i pakonceptueshëm dëmi që kjo qeveri po ua sjell qytetarëve të saj. Dështimi i dytë i saj e ka emrin varfëri ose kolaps ekonomik. Humbja e mbi 85 mijë vendeve të punës, shuarja e qindra bizneseve, që nënkuptojnë rritje enorme të varfërisë, mospërmbushja e asnjë premtimi për rritje ekonomike, edhe një kohë të gjatë do të mbeten në listën e prioriteteve për riparimin e jetës së qytetarëve tanë. Dështimi i tretë është arsimi. Duke e mos marrë në konsideratë propozimin tonë që viti shkollor të fillojë në janar 2021 e ndërkohë të bëhen përgatitjet e nevojshme, kjo qeveri – me paaftësinë e vet – përjashtoi nga e drejta kushtetuese për mësim diku 60 mijë nxënës, ndërsa rrezikoi shumë të tjerë dhe na dëshmoi se mësimi në distancë më shumë ka qenë një improvizim sesa realitet, për çka jemi të bindur se pasojat do të na ndjekin edhe për shumë vite. E kur dështimit në arsim i shtohet edhe ngarkesa e arsimtarëve, që kanë bërë dyfish punë, ndërsa janë paguar si më parë, edhe po ta themi me eufemizëm, do të duhej të thoshim se ky vit shkollor lë shumë për të dëshiruar. Dhe, dështimi i katërt është sigurisht integrimi. Edhe shtegu i vetëm për të shpëtuar nga kjo gjendje, pra për t’i hapur negociatat për BE, tashmë po venitet, sepse kryeministri dhe diplomacia e vendit tonë – me joseriozitetin e tyre – na vendosën para vetos bullgare.
Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, ditëve të fundit nuk kalon asnjë edicion informativ pa lajme për qarkullimin ilegal të lëndëve narkotike në vendin tonë. Nëse kjo vihet në korrelacion me propozimin e qeverisë për legalizimin e shitjes së narkotikëve, vërtet është për t’u shqetësuar për të ardhmen e brezave që vijnë.
Nisur nga kjo, detyra jonë mbetet që sa më shpejt të mundësojmë qeveri të zgjeruar dhe zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që mos të shtohet lista e këtyre dështimeve, sepse – fundja – ne nuk jemi të lumtur që ata kanë dështuar, ngase çmimin e paguajnë të gjithë qytetarët.
Sidoqoftë, qytetarë të dashur, pasi që kemi kaluar një vit kaq të zymtë, unë jam i sigurt se më keq nuk mund të bëhet. Andaj jam shumë i bindur se vitin tjetër do të jetë sigurisht më mirë. Sfida jonë për të sjellë mirëqenie ekonomike, shtet të së drejtës, shëndetësi dhe arsim cilësor, integrim në BE, si dhe luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar, mbeten përkushtimi ynë më i lartë, me të cilin nuk mund të bëjmë kompromis.
Prandaj, përfitoj nga ky rast që të gjithë qytetarëve t’ju dëshiroj që kurrë më të mos u kthehet një vit si 2020-ta. Uroj që 2021-shi të jetë jo vetëm fillimi i dekadës së tretë të mileniumit të dytë në shekullin e ri, por edhe gurthemeli i parë i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Duke besuar thellë se ne mund ta bëjmë këtë ndryshim, si dhe duke qenë i sigurt se kjo varet vetëm nga ne, jua uroj vitin e ri 2021, duke u lutur që së pari të keni shëndet në familjet tuaja, duke i dhënë fund edhe murtajës së pandemisë Covid-19, paqe në shpirtin tuaj, si dhe suksese në të gjitha fushat e jetës.
Unë jam fort i bindur se në fund të vitit tjetër do të mund t’i radhisim sukseset e punës sonë të përbashkët, që na pret në vitin që vjen.

Qoftë i mbarë për të gjithë viti 2021!

Afrim Gashi

Shkup, 30.12.2020

https://www.facebook.com/1980705965582959/posts/2834775236842690/