Afrim Gashi realizoi takim me u.d. Ambasadore e SHBA-ve në Shkup, znj. Jennifer R Littlejohn

Sot kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi, realizoi takim me u.d. Ambasadore e SHBA-ve në Shkup, znj. Jennifer R Littlejohn.
Në këtë takim virtual, që zhvillohet kështu për shkak të gjendjes së pandemisë, kryetari Gashi e njoftoi znj. Jennifer R Littlejohn për zhvillimet aktuale politike dhe rolin që ka në to AlternAtivA si subjekt opozitar. Me këtë rast kryetari Gashi shfaqi shqetësimin e tij për menaxhimin e situatës nga qeveria aktuale, sepse shifrat e të infektuarve dhe të vdekurve nga pandemia Covid-19, si dhe kriza ekonomike, sociale e arsimore, janë shenjë se Maqedonia e Veriut është futur në një gjendje shumë të rënduar.
Përveç kësaj, kryetari Gashi shprehu brengën e tij edhe nga mospërmbushja e detyrës për hapjen e bisedimeve për integrim në BE, që po ashtu – sipas tij – ka ardhur për shkak të qasjes ekskluziviste të kësaj qeverie.
Znj. Littlejohn, nga ana e saj, shfaqi mirëkuptim për angazhimin konstruktiv opozitar të AlternAtivA-s dhe u shpreh se të gjithë aktorët politikë në vend duhet të punojnë bashkërisht për kapërcimin e kësaj krize.
Takimi u mbyll me konstatimin se takimet e këtilla janë të nevojshme dhe se duhet të vazhdojnë edhe në të ardhmen.