ALTERNATIVA: Ministria e Arsimit t’i ndihmojë familjet me pajisje të TIK-ut dhe t’i rrisë pagat me 50 euro për mësimdhënësit

 

Gjendja e jashtëzakonshme, e krijuar si pasojë e korona-virusit Covid 19, ka bërë që shumica e institucioneve edukativo-arsimore veprimtarinë edukativo-arsimore ta zhvillojnë nga shtëpia nëpërmjet platformave on-line. Kjo formë e realizimit të mësimit ka krijuar vështirësi të shumta për familjet, por edhe për mësimdhënësit, ngase – përpos kushteve hapësinore – ky lloj mësimi kërkon edhe mjete financiare shtesë.
Nëse ministrja Caroska e arsyeton këtë gjendje sepse ashtu do të kursejë mjete dhe se nuk do të bëjë harxhime në shkollë, si duket nuk e ka para sysh se në këtë formë ua shton shpenzimet dhe harxhimet mësimdhënësve dhe prindërve të nxënësve.
Kjo është edhe arsyeja që ALTERNATIVA të konstatojë se viti shkollor ka filluar pa asnjë përgatitje dhe dështimi i këtij viti shkollor është sa për arsye të pandemisë, po aq edhe për shkak të paaftësisë së Qeverisë për ta organizuar procesin edukativo-arsimor.
Është për keqardhje që edhe pse të gjitha institucionet relevante shëndetësore bënin me dije se virusi Covid-19 do të ketë një valë të dytë dhe pritej që të ketë një përhapje më të gjerë, fillimi i vitit shkollor në këto rrethana – duke mos mbajtur llogari për shëndetin e nxënësve dhe të mësimdhënësve – u bë me pakujdesinë më të madhe të Qeverisë. Madje, ajo sot është përgjegjëse edhe për infektimin e arsimtarëve dhe nxënësve, numri i të cilëve është në rritje dhe gati e pamundëson realizimin normal të procesit arsimor.
Absurditeti tjetër i vendimit të ministres është edhe kontrolli i njohurive ose testimeve që i detyron nxënësit të shkojnë në shkollë për të bërë testet e provimet, ndërsa për ta realizuar mësimin u thotë të qëndrojnë në shtëpi. Prandaj e pyesim zonjën Caroska: “A do të thotë kjo se në ditën kur nxënësit do ta bëjnë testin në shkollë nuk do të infektohen dhe nuk do ta shpërndajnë atë më tej?”.
Sidoqoftë, meqë shumica e mësimdhënësve punojnë nga shtëpia, ALTERNATIVA i propozon Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës të ndajë nga 50 euro shtesë në secilën rrogë të çdo arsimtari për ngrohje dhe internet, sepse ata tani shpenzojnë më tepër për ta realizuar mësimin. Gjithashtu për mbarëvajtjen e mësimit online Qeveria, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, komunat dhe drejtuesit e tjerë të institucioneve duhet t’u sigurojnë nxënësve kushte optimale për mësim, t’i pajisin me llaptopë, PC ose tabletë, si edhe të gjenden mënyra që të sigurohet qasje në internet për ata që nuk kanë mundësi të tillë.
ALTERNATIVA rikonfirmon qëndrimin e saj se nuk ka asnjë investim më produktiv dhe më të rëndësishëm në shoqëri sesa arsimi, andaj thirrja jonë është që ta shpëtojmë vitin shkollor dhe të shpëtojmë gjeneratat e reja nga arsimimi jo cilësor.

Shkup, 09.11.2020 ALTERNATIVA – Shkup