AlternAtivA: Po dështon përsëri plani i fillimit të vitit shkollor

Në ditën kur është caktuar të fillojë viti shkollor, AlternAtivA konstaton se – përkundër pompozitetit patetik të ish ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe ministres aktuale, që çdo ditë vetëlavdërohet – kjo ditë është shenjë se shkollat dhe procesin mësimor i pret një dështim i ri.

Në ditën kur shumica e nxënësve duhet ta fillojnë mësimin online, mbi 40 mijë nxënës nuk kanë pajisje për mësim të tillë, shkollat e vendit tonë nuk kanë internet, arsimtarët nuk kanë kompjuterë personalë, ndërsa nxënësit dhe prindërit janë të hutuar se çfarë paraqet ky lloj mësimi i improvizuar dhe ata gjithnjë e më shumë po binden se shteti po sillet në mënyrë joserioze me të ardhmen e qytetarëve të tij. Nëse u thoni fëmijëve dhe prindërve “gjenduni si të mundeni, se për ju nuk kemi as internet e as kompjuterë”, pa vënë në kalkulim edhe hapësirën fizike ku duhet të ndiqet mësimi online, kjo është shenjë se edhe ky fillim-viti shkollor do të dështojë. 

Kjo dhe fakti se në vendin tonë po shënohet rritje e numrit të të infektuarve me virusin Covid-19 na bind se kjo qeveri nuk ka kapacitet të përballet as me pandeminë dhe nuk ka potencial që të prodhojë zgjidhje për mbarëvajtjen e procesit mësimor. Prandaj AlternAtivA gjykon se viti shkollor duhet të fillojë vetëm kur të kemi kushte për mësim me prani fizike dhe me potencial të ulët për infektim. Këtu po shtojmë se synimi ynë është që mësimi i tillë të fillojë sa më shpejt, por gjykuar sipas performasave të dobëta të kësaj qeverie, kjo punë do të marrë shumë kohë dhe detyrimisht do të ketë reflektim edhe në suksesin e nxënësve, por edhe në të ardhmen e shoqërisë në përgjithësi.

Nisur nga kjo, AlternAtivA i bën thirrje ministres së Arsimit dhe Shkencës që ta shtyjë fillimin e vitit shkollor, që kur të fillojë mësimi, ky të jetë proces ku secili nxënës do ta gëzojë të drejtën për mësim dhe ku nuk do të ketë improvizim. Me këtë rast i bëjmë thirrje edhe ministrit të Shëndetësisë që të jetë më i ndjeshëm ndaj fëmijëve dhe mos të lejojë që, për hesape politike, të viktimizohen fëmijët dhe familjet e tyre.

Shkup, 01.10.2020 AlternAtivA – Shkup