Organizata Qytetare Shqiptare dhe Semi Hebibi e mbështet koalicionin “Tash është koha”

Këto ditë, gjatë kësaj fushate, kur është rritur mbështetja për ndryshimin e shumëpritur, edhe një OJQ dhe një personalitet i lartë i UÇK-së e mbështet koalicionin. Fjala është për Organizatën Qytetare Shqiptare dhe ushtarakun e lartë të UÇK-së, Semi Hebibi.

Kush është Semi Hebibi?

Semi Tol Hebibi është ish oficer i UÇK-së, bashkëthemelues i celulave të para të UÇK-së, kontribuues në përgatitjen luftarake të ushtarëve në luftën e Kosovës, Komandant Togu në Bataljonin “Agim Ramadani”, ndërsa pas formimit të njësitit special emërohet Komandant.

Në sulmin e parë që e merr UÇK-ja përsipër (Sulmi ndaj Stacionit Policor Tearcë), Semi Tol Hebibi akuzohet si planifikues dhe ushtrues bashkë me shokët e UÇK-së.

I ngarkuar me detyrën e zv./komandantit të përgjithshëm në betejën e lavdishme të Kalasë së Tetovës në vitin 2001, ai merr plagë të rënda dhe prandaj shkon për mjekim në Gjermani. Gjatë mjekimit në Berlin, me fletarrest ndërkombëtar për terrorizëm dhe kërkesë të kryeministrit të atëhershëm të Maqedonisë, Lupço Georgievski, drejtuar kancelarit të asaj kohe, Gerhard Schröder, si dhe në një beteje diplomatike e gjyqësore, pas 6 muajsh bëhet ekstradimi i tij, që është realizuar me avionin e presidentit Boris Trajkovski. Transportimi i Komandant Semi Tol Hebibit nga aeroporti i Shkupit deri në burgun e Shutkës ishte i organizuar nga shumë forca policore dhe ushtarake të blinduara duke u përcjellë nga ajri me helikopterë te shumtë. Pas dy muajsh paraburgim, ai përfshihet nga amnistia e përgjithshme, por 2 net para lirimit nga burgu tentojnë ta helmojnë. Megjithatë, për fat të mirë, ai shpëton.

Studimet deridiplomike i fillon në Fakultetin Filozofik – dega Histori dhe i mbaron me sukses me temën e diplomës “Çështja Çame 1912-1945”, duke nxjerrë në dritë shumë të panjohura deri atëherë për opinionin shkencor në këtë temë.

Paralelisht me këtë ai e vazhdon kontributin e tij për popullin, meqë gjatë viteve 2004-2008 ka qenë përfaqësues i firmës gjermane AEP për Maqedoni dhe Ballkan, duke sjellë edhe investim gjerman në Pollog me kapital fillestar 50 milionë euro për hapjen e 3000 vendeve të reja të punës me standarde gjermane. Megjithatë, për shkak të korrupsionit (mitos që i kërkohet firmës gjermane nga partia ne pushtet dhe pengesave tjera), pushteti maqedonas, i ndihmuar nga shqiptarët, nuk e lejojnë hapjen e 3000 vendeve të reja pune.

Nga bashkëqytetarë e bashkëluftëtarë propozohet kandidat i pavarur me 31 këshilltarë komunalë për kryetar komune dhe fiton 7000 vota, por mbi 3000 vota ia shpallin të pavlefshme, andaj si iniciativë qytetare përfaqësohet me një këshilltar komunal ne Komunën e Tetovës, ndonëse vërshojnë kërkesat e pandërprera në interes nacional, qytetar, infrastrukturor etj.

Semi Hebibi ka qenë organizator për lirimin e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë Protesta në Tetovë filloi me peticion, me ç’rast u mblodhën mbi 40 mijë nënshkrime për lirimin e qytetarëve të pafajshëm të fshatit Brodec nga aksioni policoro-ushtarak “Stuhia Malore Brodec” dhe peticionin ua dorëzon ambasadave, duke përfshirë dhe Zyrën e Unionit Evropian dhe parlamentit republikan, ku përfaqësuesit e të gjitha partive shqiptare në parlament nuk morën guximin dhe nuk e kryen detyrën e të zgjedhurit dhe ashtu t’u përgjigjen 40 mijë shqiptarë.

Një kohë ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues i gazetës javore “Realiteti”. Studimet posdiplomike i fillon për marrëdhënie ndërkombëtare si një nga studentët më të mirë, madje duke botuar në revista prestigjioze ndërkombëtare, por para përfundimit të studimeve i përkeqësohet gjendja shëndetësore dhe i ndërpret ato, që t’i nënshtrohet operacionit që i ofrohet nga një shtet mik i popullit shqiptar.