Fjalimi i plotë i kandidates për deputet i koalicionit “Tash është koha” nga zona 5 zgjedhore, Zelfina Sela, gjatë tubimit të mbajtur ditë më parë në Dibër

I nderuar kryetar i Alternativës, Afrim Gashi,
i nderuar kryetar i Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela,
të nderuar kandidatë për deputetë,
zonja e zotërinj, dibranë të mi të dashur,

Mirë se erdhët në Dibrën kreshnike, në Dibrën e Elez Isufit, të Vehbi Dibrës, të Josif Bagerit e të Skënderbeut. Mirë se erdhët në Dibrën e madhe me shtatë male dhe shtatë minare, në Dibrën e bekuar nga Zoti me bukuri, resurse dhe burime natyrore, por të rrënuar e të braktisur nga ata që e keqpërdorën besimin tonë.

Të nderuar bashkëqytetarë, mirë se ju gjeta edhe juve, sepse ju jeni arsyeja kryesore për këtë tubim madhështor dhe nesër përsëri ju do jeni arsyeja që ky qytet të frymojë lirshëm, sepse tash ka ardhur koha që ju të bëni ndryshimin në këtë vend. Në fakt, nga ajo që kam dëgjuar nga miqtë e mi, të gjithë që vijnë në Dibër e kanë një ngarkesë shtesë për shkak të historisë së lavdishme të qytetit tonë dhe kontributit që kanë dhënë dibranët gjatë të gjitha proceseve. Këtu dua të theksoj se vërtet sot Dibra duket e vogël dhe me pak njerëz, por ishin me qindra arsimtarë dibranë, që e përfunduan Normalen e Elbasanit, të cilët u shpërndanë në Pollog e Karadak për t’i edukuar brezat e ri shqiptarë dhe unë besoj se të gjithë i mbajnë mend këtë misionarë të ndriçimit të kombit.

Të dashur të pranishëm, megjithatë neve dibranëve mikpritës na vjen keq që sa herë që na vijnë miq dhe shokë për të na vizituar, ata na kritikojnë se rruga e Mavrovës është në atë gjendje. Prandaj unë dua që në prani të dy drejtuesve të koalicionit t’ju premtoj se si deputete e ardhshme do jap maksimumin që kjo rrugë do zgjerohet, duke i plotësuar kriteret e nevojshme, sidomos tani kur projekti i Rrugës së Arbërit është afër përfundimit në pjesën e Shqipërisë.

Të nderuar, do të doja sonte të flas me tone më optimiste, por për fat të keq Dibrës së shekullit 21 i mungojnë kushtet më elementare për jetë dhe mirëqenie: uji është i mangët, ajri është i ndotur dhe qytetarët përballen me varfëri. Mjafton të theksohet fakti që vetëm në kohën e pandemisë afro 1000 familje kanë kërkuar asistencë për shkak të mungesës së ushqimit në shtëpitë e tyre, për ta kuptuar se në çfarë gjendje është sot qytetari dibran.

Shumë të dashur të pranishëm, ky qytet dita ditës po zbrazet dhe frika më e madhe e nënave është që fëmijët e tyre i kanë humbur shpresat për këtë vend dhe mezi presin të largohen për në mërgim. Mund të jetë dëshpëruese nëse nuk e keni ditur, por te dibranët tanë të rinj periudha më interesante është dita kur dalin rezultatet e lotarisë amerikane. Për fat të keq. Kjo ka bërë që sot më shumë dibranë të kemi në Amerikë sesa në Dibrën tonë të lavdisë historike. Dhe, shumë të nderuar, autori i këtij eksodi nuk është anonim dhe ai nuk mund të amnistohet. Ai ka qenë 18 vjet në pushtet kur shqiptarët i kanë regjistruar mbi 300 mijë shqiptarë të shpërngulur. Unë nuk di a kanë bërë edhe ata elaborate për shpërnguljen e shqiptarëve, por efektin e kanë pasur të njëjtë si elaboratet famëkeqe antishqiptare.
Dhe, kur flasim për këtë plagë të madhe të Dibrës sonë, mendoj se të gjithë e kemi të qartë se arsye e këtij eksodi është vetëm gjendja ekonomike ose, thënë ndryshe, mungesa e vendeve të punës.
Në anën tjetër, edhe kur bashkatdhetarët tanë kanë ardhur të hapin biznese që ta ndalojnë migrimin, ata janë përballur me korrupsionin, haraçin dhe zhvatjen e pushtetarëve. Prandaj, shumë të respektuar, vërtet ne do të angazhohemi për 25 mijë vende pune dhe unë shpresoj që ato t’i realizojmë dhe dibranët e rinj të mos i gëzohen më lotarisë amerikane, por një gjë për të cilën dua t’ju siguroj është se me ne përfundon vjedhja dhe korrupsioni. Prandaj, me ne dyert për mërgatën tonë do të jenë të hapura dhe ata do të priten me nderime dhe lehtësime në vendlindjen e tyre.

Më lejoni këtu t’ju them sinqerisht se kam pasur shumë dilema për ta pranuar këtë kandidaturë. Por, ajo që më bindi ishte pikërisht prania e një ekipi të fuqishëm dhe entuziast, tashmë të kombinuar nga dy subjektet politike në krye me Afrim Gashin dhe Ziadin Selën. Me kuadrin intelektual edhe në nivel lokal, që kam pasur bashkëpunim kohët e fundit, më është kthyer besimi në avancimin e vendit tim, andaj kam shpresë se suksesi nuk do të vonojë.
Një arsye tjetër është se ky grup i sinqertë dhe entuziast më ka premtuar se nuk do të ushtrojë revanshizmin politik për të larguar njerëz nga puna dhe kjo ka qenë motiv shtesë për mua. Prandaj që nga këtu dua t’i inkurajojë punonjësit dhe nëpunësit e tjerë që të na bashkëngjiten në fitoren tonë të përbashkët më 15 korrik. Sepse ajo nuk është fitorja jonë partiake, por do të jetë fitorja jonë kombëtare.

Të dashur dibranë dhe ju mysafirë, sivjet kjo verë ka ardhur me vapë, por më 15 korrik, duke e rrethuar numrin 5, duke votuar për listën tonë, duke votuar për Syreja Rashidin e Bekim Pocestën dhe duke i dhënë pesëshe Ziadin Selës e Afrim Gashit, ju do ta sillni freskinë e shumëpritur edhe në Dibrën tonë.

Sepse tash është koha dhe sepse kurrë kohë më të mirë nuk kemi pasur.

Ju faleminderit e mirupafshim në festën e fitores.