Koalicioni AAA – ASH zbresin në Malësinë e Tetovës, Hysni Ismaili vizitë banorëve të Cetinskës, Lisecit dhe Shipkovicës

Kandidati për deputet nga zona e 6-të zgjedhore i koalicionit AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët, Hysni Ismaili, sot së bashku me kryetarin e ASH-së, Ziadin Sela, dhe përfaqësuesit e koalicionit AAA – ASH, kanë realizuar takim me banorët e Malësisë së Tetovë.
Kandidati për deputet në zonën e 6-të zgjedhore, aktualisht ministër i Kulturës, Hysni Ismaili, ka realizuar takim me banorët e lagjes Cetinska, si dhe fshatrave Lisec dhe Shipkovicë të Malësisë.
Gjatë këtyre takimeve me banorët e Malësisë, u bisedua mbi platformën reale të shqiptarëve në vend, problemet disavjeçare të Malësisë – problemi i kanalizimit, ujësjellësit, infrastrukturë – rrugëve etj.
“Tetova edhe në shekullin 21 ende vazhdon të ballafaqohet me problemet serioze të saj – kanalizimi, ujësjellësi, infrastruktura etj.
Malësia e Tetovës dhe Sharri janë emblema e palëkundur e Tetovës sonë. Tetova po vuan për ujë të pijshëm, ndërsa Sharri nuk po bëhet sa vite vend i mirëfilltë dhe vatër e turizmit.
Ne mendojmë që tash është koha për ndryshim. Duhet të krijojmë standarde të reja jetësore, si në aspekt shëndetësor, ekonomik, social dhe arsimor. Ne në sferën e kulturës dëshmuam profesionalizëm, transparencë dhe meritokraci. Durim edhe pak, sepse më 15 korrik vjen ndryshimi i madh”, ka përfunduar kandidati i koalicionit AAA – ASH në zonën e 6-të zgjedhore, Hysni Ismaili.