Kandidati për deputet në zonën 6 zgjedhore nga koalicioni AAA – ASH, Hysni Ismaili, realizoi takim me banorët e Komunës së Bogovinës

Kandidati për deputet nga zona e 6-të zgjedhore i koalicionit AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët, Hysni Ismaili, pas takimeve që realizoi me banorët e Malësisë së Tetovës, i ka vazhduar takimet me banorët e fshatit Pirok të Tetovës dhe banorët e Komunës së Bogovinës.
Duke folur mbi problemet reale me të cilat po ballafaqohen banorët e kësaj ane, Ismaili në takim me banorët e fshatit Pirok, tha: “Ne po angazhohemi që të sjellim shtetin e së drejtës dhe shtetin e barabartë për të gjithë. Me projektet kulturore tona sollëm jetën multikulturore në vend”, ka thënë Ismaili.
“Këta pushtetarë së pari i hapën bastoret e kazinotë dhe i mbyllën bibliotekat. Pushtetarët e kaluar 18 vite na e degraduan arsimin, ekonominë, shëndetësinë etj. Tash është koha të bëjmë ndryshimin – është koha për arsim cilësor, shëndetësi profesionale, rimëkëmbje ekonomike. Me qeverisjen tonë Bogovina u bë zëri i fuqishëm i vatrës sonë kulturore. Me angazhimin dhe punën tonë tash Bogovina është me pallat kulture”.
Bashkë me Hysni Ismaili, pjesëmarrës i këtyre dy takimeve të përbashkëta ishte edhe kandidati i koalicionit AAA & ASH nga zona e 6-të zgjedhore, Afan Elezi, dhe kryetari i Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili.