Akademia Politike “Alternativa” përfundoi me sukses ciklin e ligjëratave online – studentët i morën certifikatat e tyre

Sonte, në ambientet e Muzeut të Arteve Bashkëkohore në Shkup, përfundoi me sukses ceremonia e ndarjes së certifikatave për studentët pjesëmarrës në 16 ligjëratat online të realizuara nga Akademia Politike “Alternativa”.
Gjatë këtij eventi solemn fjalë rasti para të pranishmëve kishin kryetari i Forumit të Rinisë së Alternativës, Afan Elezi, drejtori i Akademisë Politike, Dr. Bejtulla Demiri, studentja Vjollca Murtezi dhe, në fund, kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi.
“Kapitali më i madh shoqëror është një shoqëri e shëndoshë dhe e moralshme, ndërsa këtë e pash tek gjithë ju që nga Likova deri në Strugë. Me themelimin e institucionit Akademia Politike “Alternativa” dëshmoj se themelet janë tek një rini e shëndosh. Rinia e Alternativës nuk është vetëm zbatues i politikave të Kryesisë, por edhe krijues i politikave të saj. Jemi para një momenti jetik, ku duhet të reflektojmë, andaj themi se Tash është koha për ndryshimin e madh”, ka theksuar kryetari i Rinisë së Alternativës, Afan Elezi, njëherazi edhe kandidat për deputet i koalicionit Alternativa – ASH në zonën 6 zgjedhore.
“Nuk kam qenë asnjëherë në ndonjë parti politike, por ishte pikërisht Akademia Politike “Alternativa” që ma ndërroi mendjen që të bëhem pjesë e saj. Atëherë kur gjithë bota vuante nga pandemia, ne e shfrytëzuam mundësinë e përfitimit të diturive nga shumë lëmi: politika, sociologjia, filozofia etj. Ne mësuam shumë gjëra, që nga ajo se si udhëhiqet një shtet e deri në fusha shumëdimensionale të filozofisë politike. Ky ishte shans i mirë për të përfituar dituri shumëdimensionale”, ka thënë studentja Vjollca Murtezi.
Para të pranishmëve fjalë rasti kishte edhe drejtori i Akademisë Politike “Alternativa”, dr. Bejtulla Demiri. “Janë duke ndodhur punë të mëdha dhe serioze në botë. E vetmja rrugë e komunikimit është komunikimi i sinqertë mes vete. Unë personalisht flas atë që e mendoj. Neve nuk na duhet lëmoshë nga jashtë, ne kemi nevojë për shtet të barabartë. Na duhet një sistem funksional politik, sistem arsimor dhe shëndetësi funksionale. Synimi ynë është ndryshimi i pushtetit me zgjedhje të lira dhe sistem funksional, me çka do ta parandalojmë shpërnguljen e të rinjve nga vendi. Politika është sistem funksional dhe jo kaos i organizuar”, ka përfunduar Bejtulla Demiri.
I fundit para të pranishmëve, fjalë rasti kishte kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi, i cili mes tjerash tha: “Sonte ndjehem i entuziazmuar dhe në një mënyrë të veçantë, që nuk mund edhe ta përshkruaj. Dua të theksoj se Akademia po e përfundon ciklin e saj, ndërsa ju studentët jeni më meritorët për këtë. Andaj e shfrytëzoj rastin t’ju uroj. I dyti me radhë është profesori jonë, drejtori i Akademisë, Bejtulla Demiri, të cilin dua ta falënderoj në mënyrë të veçantë. Po ashtu, në mënyrë të veçantë dua ta falënderoj edhe kryetarin e Rinisë, Afan Elezin dhe Asaf Ademin, të cilët punuan pandërprerë me idetë e tyre, mbi realizimin e këtij cikli ligjëratash. Unë mendoj se elita politike e ka ngulfatur potencialin tonë. Kur e di se kjo Akademi çfarë ligjërata ka ndjekur, jam tepër i kënaqur se keni kontribuar për dijen. Derisa do të jem unë i pari i Alternativës, gjithmonë do të jem ushtar i pakompromistë për shtytje të një rinie të shëndoshë. Një prej arsyeve kryesore se përse e kemi filluar rrugëtimin politik është për shkak se kemi dashur të jemi gjenerata e parë që e thyen injorancën, që e bën luftën kundër krimit dhe korrupsionit derisa të krijohen vlera të shëndosha shoqërore. Unë jam shumë i sigurt se ju jeni e ardhmja jonë”, ka përfunduar kryetari i AlternAtivA-s, Afrim Gashi.
Në fund u bë ndarja e certifikatave dhe një fotografi e përbashkët.