AlternAtivA: Qytetarët presin mirëqenie e jo ide cinike folklorike

Shënimi i përvjetorit të 18-të, duke shpikur ide me dizajn të bukur, por në esencë të zbrazëta për nga përmbajtja, është dukuri e njohur dhe nuk është për t’u habitur. Të jesh në pushtet kaq gjatë dhe ta shkaktosh këtë eksod masiv të shqiptarëve, si dhe këtë varfëri në shkallë të krizës për bukë, e pastaj të dalësh me ide për kryeministër shqiptar, ky është cinizëm i pastër dhe tallje me shqiptarin në Maqedoni.
Sot, kur shqiptari ynë përballet me pyetjet se si do e lidhë muajin me muajin tjetër dhe kur shkalla e papunësisë po na vërshon, ndërsa shumë të rinj, si 300 mijë shqiptarët e tjerë të shpërngulur gjatë qeverisjes së kësaj partie, e kanë mendjen si të ikin nga ky vend, idetë e këtilla, përveçse janë humor i zi, flasin më saktë për katandinë në të cilën i ka sjellë shqiptarët partia që sot e paska shënuar përvjetorin e themelimit.
Sikur mos ta dimë se cila është historia e asaj partie, mbase edhe do të ishim ekzaltuar, por duke e ditur se ata ishin ata që më 2014 e shpikën idenë e “presidentit konsensual”, në mënyrë që Gjorge Ivanov të bëhej president, nuk na bën përshtypje as ideja e “kryeministrit shqiptar”. Na mbetet ta shohim se kujt do i shërbejnë kësaj radhe.
Sidoqoftë, AlternAtivA është këtu për të thënë se shqiptarët nuk kanë nevojë për ide folklorike, por për oferta reale, që e rrisin mirëqenien e qytetarëve, që e ndalin migrimin, e rrisin shkallën e punësimit dhe premtojnë ardhmëri për të gjithë qytetarët e këtij vendi, e veçmas për shqiptarët edhe ashtu të diskriminuar. Ndërkaq, këto ide cinike do të përfundojnë një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve bashkë me shpikësit e tyre.

Shkup, 05.06.2020 AlternAtivA – Shkup
Shërbimi për Informim