AlternAtivA: Të kthehen çmimet e produkteve ushqimore bazë në nivelin e 30 janarit

Duke ndjekur me vëmendje krizën që po mbretëron në vendin tonë, kjo si pasojë e pandemisë së virusit Covid-19 dhe gjendjes së jashtëzakonshme që është shpallur, AlternAtivA konstaton se Ministria e Ekonomisë nuk është duke e menaxhuar si duhet çështjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Kështu, ajo ka bërë ngrirjen e çmimeve të 11 marsit, kur ato ishin ngritur dhe ishin bërë tashmë të padurueshme për qytetarët tanë.
Nisur nga kjo, duke i ndjekur edhe praktikat e vendeve që po përballen me rrezikun e virusit Corona, Alternativa kërkon nga Ministria e Ekonomisë që t’i kthejë çmimet e produkteve ushqimore bazë në nivelin që kanë qenë më 30 janar – në ditën kur është shpallë se virusi Corona shkakton rrezik më përmasa planetare.
Gjithashtu, AlternAtivA kërkon që Ministria e Ekonomisë ta parandalojë edhe rritjen e çmimeve të produkteve bazë për të cilat janë shtrenjtuar repromaterialet, ndërsa kompanive që kanë dëme eventuale të gjendet mundësi që ato t’u kompensohen.
Me këtë rast Alternativa e vlerëson lart vetëdijen që po tregojnë qytetarët e Maqedonisë së Veriut në këtë periudhë pandemie dhe, njëherazi, kërkon nga autoritet të jenë më efikase në evitimin e atyre pak rasteve kur shkelen kufizimet e caktuara.

Shkup, 20 mars 2020

AlternAtivA – Shkup