Aktivistja e mirënjohur kumanovare Xhavide Zymberi Ebibi aderon në AlternAtivA

Aktivistja e mirënjohur kumanovare, ish kryetarja e degës së Kumanovës nga partia “Uniteti”, Xhavide Zymberi Ebibi, nga sot do të jetë pjesë e AlternAtivA-s.

Më poshtë e keni edhe deklaratën për aderimin e Xhavide Zymberi Ebibit në AlternAtivA.

D E K L A R A T Ë

Të nderuar qytetarë!

Në vitin 2015 si nevojë imediate dhe e domosdoshme për të bërë kthesë dhe për të sjell ndryshimin në skenën politike shqiptare, u themelua partia politike ,,UNITETI”.

Si çdo subjekt tjetër politik, edhe kjo parti, sfidën dhe testimin e saj të parë para qytetarëve e realizoi në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2016 dhe ato Lokale të vitit 2017.

Në zgjedhjet Parlamentare të 2016-ës Uniteti garoi si pjesë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët në mes tre subjekteve politike, edhe atë Uniteti, LR-PDSH dhe RDK. Ky koalicion pavarësisht se nuk arriti t’i fitojë zgjedhjet dhe të bëhej pjesë e qeverisë, fitoi tre mandate deputetësh.

Ndërsa në zgjedhjet Lokale të vitit 2017, Uniteti garoi si pjesë e koalicionit Aleanca për Shqiptarët në mes Unitetit dhe Rilindjes Demokratike Kombëtare.

Pavarësisht rrethanave dhe presionit, unë si bartëse e listës për këshilltare komunale të Kumanovës, fitova një numër të konsiderueshëm votash, por të pamjaftueshme për t’u bërë këshilltare komunale dhe një zë “NDRYSHE” në këtë komunë multietnike.

Pavarësisht që pas këtyre zgjedhjeve Uniteti nuk kishte aktivitete në nivel të shtetit, Uniteti-dega Kumanovë, e cila ka qenë një ndër degët më të konsolidura gjatë gjithë kohës, ka vazhduar të gëzojë mbështetje nga votuesit dhe ndjekësit e saj. 

Mua si kryetare e Degës së Unitetit në Kumanovë, më bën të besoj që këta mbështetës kanë vërejtur qasjen serioze të kryesisë së degës dhe anëtarëve tjerë për të sjell ndryshimin e vërtetë në skenën politike. 

Jo çdoherë përcaktues i kthesës së madhe të kërkuar nga qytetarët është kuantiteti në raport me atë çfarë ata kërkojnë në të vërtetë.

Rrjedhimisht, unë si kryetare e degës dhe bartëse e listës në Zgjedhjet Lokale, ndjej përgjegjësi dhe obligim moral ndaj këtyre votuesve dhe mbështetësve të Unitetit, për t’ju përgjigjur thirrjes së tyre drejt misionit për të sjellë ndryshimin e madh, për çfarë edhe ishte  themeluar partia Uniteti.

Në këtë kontekst do të doja të riktheja në kujtesën tuaj një thënie të njohur të Martin Luther King:

“Nëse nuk mund të fluturosh, atëherë vrapo, nëse nuk mund të vraposh, atëherë ec, nëse nuk mund të ecësh, atëherë zvarritu, por çfarëdo që të bësh, duhet të vazhdosh përpara”.

Në pamundësi për të funksionuar si degë e vetme, unë këtë mision do ta vazhdoj me përkushtimin më të madh në kuadër të partisë Alternativa si pjesë përbërëse e strukturave të partisë në fjalë.

“Jetëgjatësia në qeverisje nuk nënkupton me automaizëm edhe qeverisje të mirë”.

Partia “ALTERNATIVA” edhe pse si subjekt më i ri në skenën politike, duket që është partia më serioze dhe e përkushtuar. Për një periudhë mjaftë të shkurtër në qeversje tregoi rezultate të shkëlqyera në fushat me të cilat ka udhëhequr gjatë kësaj qeverisje.

Kjo është edhe një dëshmi e shtesë për të lartëpërmendurën.

Nuk nevojitet kuantiteti dhe qeverisja një kohë të gjatë për të realizuar premtimet dhe nevojat e qytetarëve. Qasja serioze dhe puna me përkushtim e kuadrove cilësor janë ato për të cilat qytetarët kanë pasur, kanë dhe do të kenë nevojë për të parë rezultate të preksheme. Ata nuk kanë nevojë për pres-konferenca për të kamufluar dështimin dhe keqqeverisjen e gjatë për më shumë se një dekadë.

Pra, Alternativa është partia për të cilën qytetarët kanë pasur nevojë: MË PAK FJALË, MË SHUMË PUNË.

Ndërsa, në koalicion me Aleancën për Shqiptarët më 12 Prill do të sjellë ndryshimin e madh e të shumëpritur dhe do të përfaqësojë denjësisht qytetarët në qeverinë e ardhshme, dinjitet ky që ka kohë që mungon tek qytetarët shqiptarë.

Ju faleminderoj për mirëkuptimin!

Xhavide Zymberi Ebibi