Fjalimi i plotë i kryetarit të AlternAtivA-s, Afrim Gashi në Kuvendin e RVM-së për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO

I nderuar kryetar i Kuvendit
Të nderuar kolegë deputetë e përfaqësues të mediave,
Të nderuar mysafirë nga kori diplomatik dhe ju të pranishëm të tjerë,
Të nderuar dhe shumë të respektuar qytetarë,
Sot ne, deputetët dhe të gjithë qytetarët e vendit, gjendemi para aktit të fundit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, kur duhet ta hapim edhe portën e fundit që përfundimisht të hyjmë brenda ngrehinës së madhe të Aleancës Veriatlantike – NATO. Sot të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se kjo rrugë ka qenë e mundimshme, sfiduese dhe ne është dashur të shfaqim gatishmëri e guxim të paepur për të marrë vendime të mëdha. Dhe, ja ku jemi sot këtu, për ta kaluar edhe pragun e fundit e për t’u bërë shteti i 30-të anëtar i NATO-s.
Të nderuar,
Të gjithë ne e dimë se jo të gjithë kombet dhe popujt i kanë shtetet e tyre. Madje, sot në këtë botë të globalizuar dhe shumë sfiduese në aspekt të sigurisë e mbrojtjes dhe kultivimit të identitetit dhe të drejtave njerëzore, është bërë edhe më rëndë të qëndrojmë sovranë dhe krah për krahu me shtetet më të fuqishme në botë si shtete të pavarura dhe të njohura ndërkombëtarisht. Prandaj, për ta ruajtur e për ta kultivuar identitetin tonë shtetëror e kombëtar, si dhe për të garantuar të ardhmen tonë euro-atlantike, të gjithë ne u gjendëm para sfidës historike “a do ta gëlltisim kompromisin e hidhur apo do të qëndrojmë në pozicionet tona rigide?!”.
Dhe, kur jemi te ky kompromis i hidhur, më duhet të jem i drejtë dhe të theksoj se kjo kockë më e rëndë për ta gëlltitur ishte për bashkëqytetarët tanë të etnisë maqedonase. Andaj, duke dashur që të shikojmë përpara drejt së ardhmes sonë më të ndritur, për të cilën duhet të punojmë të gjithë së bashku, dua që para jush të them se ne si komuniteti i dytë më i madh në vend do të vazhdojmë të kemi empati për bashkëqytetarët tanë maqedonas në funksion të kultivimit të identitetit etnik, gjuhësor e kulturor.
Të nderuar,
Pasi që sot këtu po e hapim portën e fundit drejt integrimit tonë në NATO, mendoj se duhet ta shfrytëzojmë këtë moment historik për vendin tonë që në të ardhmen, përveç stabilitetit të jashtëm, të ndërtojmë edhe lidhje shumë më të fuqishme të kohezionit të brendshëm, që ashtu të mund t’i vjelim të mirat e arritjes së këtij kompromisi. Konsideroj se është koha e fundit që të gjithë qytetarët ta përjetojmë shtetin njësoj dhe, në anën tjetër, shteti të na trajtojë të gjithëve njësoj. Pra, të gjithë ne, shqiptarë, maqedonas, turq, romë, boshnjakë, vllahë etj., duhet të fillojmë ta ndjejmë shtetin si i joni, ndërsa shteti të jetë i barabartë dhe i drejtë me të gjithë ne si etni të ndryshme, njëherazi duke e ruajtur distancën dhe baraspeshën ndaj secilës etni. Kështu, kur maqedonasve u kontestohet gjuha, identiteti, historia e kisha, ne si shqiptarë, por edhe komunitetet e tjera, do të qëndrojmë pranë bashkëqytetarëve tanë dhe në mënyrë institucionale e shtetërore t’u dalim në mbrojtje ndaj këtyre sulmeve. Por, edhe kur shqiptarët të ndjehen të pabarabartë në këtë shtet dhe ta shohin shtetin si të padrejtë ndaj tyre, do të duhet të parët të reagojnë maqedonasit, por edhe komunitetet e tjera, që shqiptarët të ndjehen të barabartë dhe shtetin ta ndjejnë si të tyre. Dhe, këtu nuk mbaron gjithçka. Vërtet marrëdhëniet mes maqedonasve dhe shqiptarëve janë thelbësore për ekzistencën dhe zhvillimin e shtetit, por ne nuk guxojmë të ndalemi këtu, sepse në këtë vend jetojnë edhe komunitete të tjera, të cilat duhet ta ndjejnë këtë shtet njësoj si të gjithë ne. Kjo duhet të vlejë edhe për turqit, edhe për boshnjakët, vllahët e gjithë të tjerët, derisa shteti të shndërrohet në mekanizëm për realizimin etnik të të gjithëve në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.
Të nderuar,
Unë kështu e shoh të ardhmen e shtetit tonë. Nëse shumica mendon se kjo është një qasje e drejtë dhe e mirë për të gjithë, atëherë që nga ky moment dhe nga kjo foltore ju ftoj që ta shfrytëzojmë rastin e integrimit tonë në NATO që bashkërisht ta fillojmë ndërtimin e një shteti të drejtë, të zhvilluar, të integruar në aleancat e mëdha euroatlantike dhe të integruar brenda vetes, si shtet në të cilin do të mbisundojë drejtësia e barazia, zhvillimi e demokracia, liritë dhe të drejtat njerëzore dhe kjo të nënkuptojë një shtet me një shoqëri të virtytshme, ku qytetarët do të jetojnë të lirë dhe me dinjitet.
Të nderuar,
NATO nuk është fundi i historisë sonë, por me NATO-n fillon një histori e re për ne. Andaj, ju ftoj që ta bëjmë këtë bashkërisht!
Ju faleminderit!
Afrim Gashi, kryetar i Alternativës
Shkup, 11.02.2020