Forumi i Rinisë – AlternAtivA: 24 janari i Ditës Ndërkombëtare të Arsimit është përkujtim i degradimit të arsimit tonë

Duke u gjendur në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, siç është përcaktuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, jemi sot këtu që ta kujtojmë pakujdesinë e madhe që ka shteti ynë për arsimin, në përgjithësi, dhe për arsimin shqip, në veçanti.

Ndonëse OKB-ja parashikon që ky shekull të jetë shekulli i arsimimit në botë, për fat të keq në vendin tonë arsimi degradon çdo ditë e më shumë, kjo jo vetëm në kundërshtim me rezolutat ndërkombëtare, por edhe kundër vullnetit dhe pritjeve të qytetarëve tanë. Për këtë dëshmojnë jo vetëm testet ndërkombëtare, si testi PISA, por edhe gjendja mjerueshme e shkollave e universiteteve, e teksteve shkollore dhe, në përgjithësi, e sistemit arsimor.

Është për të ardhur keq që Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk merret me detyrimet e saj themelore për përmirësimin e arsimit në vendin tonë, por në vend të saj merret me manipulimin e opinionit, duke i hedhur pluhur syve publikut e duke i mbuluar problemet reale në arsimin tonë. Shembujt e këtij degradimi janë të shumtë dhe kjo nuk ka nevojë për dëshmi, ndërsa për të rikujtuar po themi se partia që e udhëheq këtë dikaster i premton nga dhjetëra herë gjërat e njëjta dhe ato asnjëherë nuk përfundojnë. I tillë është rast i shkollës fillore në Reçicë të Vogël në Tetovë, të cilën e kanë premtuar para shumë viteve, ndërsa edhe tash premtojnë se ajo do të bëhet deri më 2021. Njësoj si premtimi shumëvjeçar për objektin e universitetit “Nëna Terezë” në Shkup, njësoj si premtimi shumëvjeçar për ndërrimin e emrave të dy shkollave në Çair, njësoj si premtimi për shkollën e Idrizovës dhe njësoj si premtimi për shkollën fillore të Bllacës.

Prandaj, duke  kujtuar këtë ditë dhe rëndësinë e arsimit, i bëjmë thirrje ministrit të Arsimit që mos të premtojë më, sepse ato premtime janë bërë tashmë atribute që e dëmtojmë rëndë reputacionin e tij. Ndërkaq, nëse vërtet dëshiron ta dijë dhe të mësojë si punohet, mund t’ia ofrojmë përvojën tonë në Ministrinë e Kulturës, ku edhe pa premtuar, e themeluam Teatrin e Gostivarit, e ribëmë Pallatin e Kulturës në Negotinë të Vrapçishtit, po ndërtohet Pallati i Kulturës në Bogovinë, e institucionalizuam Teatrin e Fëmijëve në Shkup dhe krijuam e institucionalizuam disa aktivitete kulturore, që do të mbeten pronë e përhershme e kulturës sonë. Ndërkaq, kur flasim për arsimin, AlternAtivA në programin e saj parashikon arsim fillor konkurrues sipas modelit evropian të orientimit të detyrueshëm profesional, arsim të mesëm profesional të lidhur detyrimisht me tregun e punës dhe arsim të lartë që, përveç ndërlidhjes më tregun e punës, mundëson avancim profesional për konkurrencë edhe në përmasa evropiane. 

Sidoqoftë, mbetemi me shpresë se pas 12 prillit me Ministrinë e Arsimit nuk do të udhëheqë dikush nga partia që premton dhe nuk realizon, ashtu që vitin tjetër 24 janarin ta shënojmë duke i radhitur edhe sukseset në arsim ashtu si në kulturë.

24 janar 2020                                                                          Forumi i Rinisë – AlternAtivA

Afan Elezi, kryetar