Alternativa – Dega Tetovë: Tetova ka nevojë për parkingje dhe jo për rrëmujë

Ndonëse qysh në mandatin e saj të parë kryetarja e Komunës së Tetovës kishte premtuar parkingje nëntokësore, duke i nënkuptuar si punë të vogël parkingjet e zakonshme, e vërteta lakuriqe mbetet se Tetova është qyteti ekzemplar i rrëmujës së makinave dhe mungesës së parkingjeve. Ajo ose ka harruar çfarë ka premtuar ose i ka dalë mendjesh ose për shkak se ajo vetë nuk përballet me këtë problem mendon se krejt tetovarët e kanë të zgjidhur çështjen e parkimit të makinave të tyre. Ky problem aq më shumë rritet në kohën kur edhe mërgimtarët janë në Tetovë, me ç’rast rrëmuja shndërrohet në traumë për shoferët e qytetit tonë.

Nisur nga kjo, duke u ballafaquar me këtë problem, kërkojmë nga kryetarja e Tetovës që përfundimisht të fillojë të merret me zgjidhjen e halleve të qytetarëve dhe të heqë dorë nga mashtrimet mediale. Në këtë drejtim, sa më shpejt që zgjidhet problemi i parkingut, pa pretendime për parkingje fantastike nëntokësore, sepse e kemi ditur qysh atëherë se ato janë fantazira të bukura, aq më shpejt përmbushet detyra e Komunës ndaj tetovarëve për qarkullim të dinjitetshëm me makina.

Kjo është Tetova që (nuk) Duam!

Tetovë, 27.12.2019                                              Alternativa – Dega Tetovë