Deputeti i AlternAtivA-s Rexhep Memedi takohet me deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli

Në cilësinë e anëtarit të grupit të miqësisë mes Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe Parlamentit të Shqipërisë, deputeti i AlternAtivA-s, Rexhep Memedi, sot realizoi takim me kryetaren e Komisionit për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, znj. Mimi Kodheli.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin ndërshtetëror, si pjesë e agjendës së politikave të fqinjësisë së mirë.
Deputeti Memedi e theksoi rëndësinë e madhe që kanë marrëdhëniet bilaterale mes vendeve tona, jo vetëm për faktin se bëhet fjalë për vendet fqinje, por edhe për arsyen se në të dyja anët e kufirit jetojnë shqiptarët, si faktorë kryesorë të zhvillimeve rajonale.
Dy deputetët biseduan edhe për trysninë që duhet të ushtrojnë deputetët e dy parlamenteve ndaj qeverive reciproke për intensifikimin e punimeve për ndërtimin e korridoreve rrugore që i lidhin vendet tona, kjo si parakusht për zhvillim ekonomik rajonal.