Delegacioni i Alternativës këndoi Fatiha te varri i Muhsin Jazëxhëogllu-t

Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni i Alternativës, në përbërje Afrim Gashi – kryetar, Hysni Ismaili – ministër i Kulturës dhe Orhan Murtezani – zëdhënës i partisë, e vizitoi edhe Fondacionin “Muhsin Jazicioglu”, ku është edhe varri i të ndjerit dhe, në shenjë respekti për personalitetin dhe veprën e tij, ata kënduan një Fatiha mbi varrin e tij.
Jazëxhëogllu ishte një politikan turk – themelues i partisë politike “Byjyk Birlik Partisi” (Partia e Unitetit të Madh), e cila ka qenë në opozitë edhe në qeverinë e Erbakanit, por edhe atë të Erdoganit, por gjithnjë ka qenë në mbrojtje të interesave të dobëtëve dhe të drejtësisë.
Si deputet në Parlamentin e Turqisë, ka qenë kryetar i Grupit të Miqësisë së Kuvendit të Turqisë me Kuvendin e Kosovës. Njihet si mik i shqiptarëve, në përgjithësi, dhe i Kosovës, në veçanti. Gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë ai ka qenë ndër ndihmuesit dhe mbështetësit e drejtpërdrejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Para se të vdesë në një aksident më 25 mars 2009 ka qenë disa herë në vizitë të shqiptarëve të Maqedonisë dhe Kosovës, ku gjithnjë është mirëpritur si një mik i shqiptarëve.