Delegacioni i Alternativës e viziton Shtëpinë Muze të Mehmet Akif Ersojit (Pejanit)

Gjatë qëndrimit disaditor në Ankara, delegacioni i Alternativës, i udhëhequr nga kryetari Afrim Gashi, ku merr pjesë edhe Hysni Ismaili – ministër i Kulturës dhe Orhan Murtezani – zëdhënës i partisë, e vizitoi edhe Shtëpinë Muze të Mehmet Akif Ersojit (1873-1936), ku ai kishte qëndruar kur ishte zgjedhur deputet në Kuvendin e Turqisë më 1920.

Me këtë rast ata u njoftuan me veprimtarinë politike të Shkrimtarit në ditët e ndërtimit të Republikës së Turqisë dhe rolin e tij si deputet.

Mehmet Akifi në Turqi njihet si autor i himnit turk “Marshi i pavarësisë” dhe si një veprimtar, shkrimtar e publicist që e ka përshkruar fundin e shekullit XIX dhe gati gjysmën e shekullit XX.

Siç dihet, ai është me origjinë nga Kosova. Babai i tij, Tahir Efendiu, është i lindur në fshatin Sushicë e Epërme të Pejës, ndërsa Mehmet Akifi e deklaron origjinën e tij shqiptare dhe flet për trojet shqiptare edhe në veprën e tij të njohur “Safahat” (Fletët), e cila është botuar edhe në gjuhën shqipe nga SHB “Logos-A” në Shkup.