Kryetari i Parlamentit të Turqisë priti në vizitë Afrim Gashin

Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Prof. Dr. Mustafa Shentop, në një atmosferë vëllazërore e priti në vizitë zyrtare, në Pallatin Bejlerbej, kryetarin e Alternativës, Afrim Gashin. Me këtë rast kryetari Gashi e falënderoi Kryeparlamentarin turk për ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO si dhe për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit turk.

Kryeparlamentari Mustafa Shentop, i cili me origjinë është nga Maqedonia e Veriut, i garantoi kryetarit Gashi se mbështetja e Republikës së Turqisë ndaj Maqedonisë së Veriut nuk do të mungojë as në të ardhmen dhe se Turqia vazhdimisht do të qëndrojë pranë tyre.

Në takim gjithashtu u bisedua edhe për mundësinë që investitorë turq të investojnë në Republikën e Maqedonisë së veriut me qëllim të përmirësimit të gjendjes ekonomike të vendit tonë.

Me këtë takim kryetari Gashi e përmbylli vizitën zyrtare në Republikën e Turqisë.