AlternAtivA sonte me tubim madhështor në Çair

Partia politike “ AlternAtiVa”, sonte ka mbajtur tubim në Çair të Shkupit, ku para qindra aktivistëve të Shkupit u folën hapat e mëtutjeshme të Alternativa-s dhe zgjedhjet presidenciale të 21 prillit. I pari para të pranishmëve fjalë rasti kishte, Zeqirija Ibrahimi, i cili tha: “ Sonte dua t’ju flas edhe për patriotizmin fals dhe për demagogjinë. Meqë këto ditë po dëgjoj plot llafe patriotike për shqiptarët e mirë e për arnautët e ligë, dua ta pyes kandidatin e opozitës për president se cili ka qenë qëndrimi i tij për zgjedhjen e Ivanovit për president në fjalimin që ai e ka pasur në kongresin tematik të BDI-së më 2015? Apo, edhe një pyetje tjetër: cili ishte qëndrimi i tij kur ne në Shkup e kandiduam një kandidate shqiptare (gruaja e parë shqiptare që kandidohej për Qytetin e Shkupit), ndërsa BDI-ja bënte thirrje ta mbështesim Shilegovin? A e ka dëgjuar dikush mendimin e tij?”, ka theksuar Ibrahimi. Ministri i Kulturës nga Alternativa, Asaf Ademi, në fjalimin e tij foli për rolin e Alternativa-s në qeveri, duke thënë: “pjesëmarrja e Alternativës në qeveri ishte si një pilot-projekt, ku duhej të dëshmohet modeli i punës sonë. Dhe, ne e dëshmuam këtë model. E, nëse qytetarët tanë e duan këtë ofertë, kanë mundësi ta zgjedhin. Emri i saj është Alternativa dhe ky është modeli alternativ për krizën e përfaqësimin politik të shqiptarëve në Maqedoni”, theksoi Ademi. Pas ministrit të kulturës, fjalë rasti kishte edhe nënkryetari i partisë “ Alternativa”, dr. Nexhbedin Kahremani, i cili mes tjerash tha: “ Ne jemi elemente të historisë dhe nesër do të gjykohemi prej saj. Ashtu siç ne sot e gjykojmë një parti që më 2014 na e instaloi një Ivanov, edhe neve dikush mund të na gjykojë nesër që nuk ishim të kujdesshëm në këto zgjedhje. Fundja, secili lidhet për fjalën e vet. Ndërsa fjala jonë është BE dhe NATO”, përfundoi Kahremani. 
Sekretari i Përgjithshëm i Alternativa-s, Skender Rexhepi – Zejdi, para simpatizantëve të Alternativës, foli për momentet historike të vendit. “ Zejdi: Ne gjendemi para një momenti që definon se kah shkojmë, të mbetemi të izoluar nga ndikim rusë apo të vazhdojmë proceset eurointegruese, duhet t’i themi mjaft më patriotizmave te rrejshme, gjithë e dijmë se kandidati shqiptar në asnjë kombinatorikë nuk bëhet president. Ne kemi vendosur ta përkrahim si Alternative konceptin euroatlantik. Ardhmëria na takon neve, ardhmëria u takon atyre që punojnë për këtë ideal të Alternativës”, ka përfunduar Rexhepi. I fundit para të pranishmëve në Çair, foli edhe kryetari i partisë politike “ Alternativa”, Afrim Gashi, ku theksoi rëndësinë historike para të cilës po kalon vendi. “ Ne para vetes kemi dy koncepte të realta, njëra është koncepti që na shpien drejt proceseve atlantike dhe tjetra është bllokimi në këto procese. Prandaj ne duhet të vazhdojmë rrugën e integrimeve euro-atlantike, ku pikërisht për këtë si Alternativë kemi vendosur të kemi një rrugë të qartë drejt perëndimit”, theksoi Gashi. Ai më tej vazhdoi duke shtuar: “ T’i themi mjaft ofendimeve ndërshqiptare, neve në asnjë rast nuk na ka hije të zhvillojmë fushatë ofenduese. Ju falemnderit, juve aktivistëve të Alternativa-s që po tregoni edukatë të lartë politike perëndimore”, ka përfunduar kryetari i partisë politike “ Alternativa”, Afrim Gashi.