AlternAtivA: Jemi kundër diskriminimit të çdokujt dhe jemi PRO familjes tradicionale

Pasi që në opinion ka pasur disa reagime se, gjoja, ne kemi mbështetur një ligj që bie ndesh me vlerat tradicionale konservatore familjare, duam të sqarojmë për opinionin se AlternAtivA, si parti e qendrës së djathtë, që i mbron vlerat e moralit tradicional familjar, asnjëherë nuk do të pranojë që me asnjë ligj a kod tjetër të lëkundet identiteti i këtillë i familjes. Për neve familje është vetëm bashkësia burrë-grua me një bekim religjioz. Rrjedhimisht, secili tip tjetër i bashkëjetesës – ndonëse nuk mund ta ndalojmë dhe ta diskriminojmë lirinë e secilit që të jetojë si të dojë e çfarë të dojë të bëjë me jetën e tij – ne nuk do ta mbështesim asnjë normë juridike që e lejon të ndryshojë tipi i kësaj familje tradicionale. 
Ndërkaq ligji që është votuar sot (më 11 mars) ka të bëjë me diskriminimin dhe në thelb nuk ka lidhje me legalizimin e ndonjë tipi të familjes që bie ndesh me familjen tonë tradicionale. Me këtë ligj europian edhe vendi ynë futet në korniza të normave europiane të luftës kundër diskriminimit dhe tash e tutje nëse dikush diskriminohet pse është shqiptar ose pse është mysliman, qoftë në punë ose në çfarëdo situate tjetër, ekziston një ligj që e mbron nga diskriminimi. E, meqë në BE edhe orientimi seksual është përkatësi, me këtë ligj mbrohen nga diskriminimi edhe ata njerëz. Fundja, askush nuk mund ta diskriminojë askënd, edhe pse mund të besojë se vepra që e bën dikush është ves dhe vepër amorale. Në të vërtetë, shoqëria jonë është plot amoralitet sipas perceptimit tradicional, por askush nuk merr të drejtë ta gjykojë dikë dhe ta dënojë për ato veprime. 
Me rëndësi është që AlternAtivA mbetet besnike se nuk ka asnjë çmim që e detyron ta lëkundë nga vlerat konservatore dhe nga mbrojtja e familjes tradicionale.

Shkup, 11.03.2019

AlternAtivA – Shkup