Afrim Gashi – vizitë në State Departament

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, realizoi një takim edhe me Drejtoren e Zyrës së Çështjeve të Europës Qendrore në State Departament – Susan Falatko.
Me këtë rast kryetari Gashi dhe drejtorja Falatko kanë biseduar për procesin e integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, dinamikën e realizimit të tij, si dhe për kontributin që e ka dhënë dhe e jep aktualisht Alternativa në këtë drejtim. 
Gashi e njoftoi Falatko-n se Alternativa u bë pjesë e pushtetit ekzekutiv pikërisht për ta përmbushur këtë agjendë dhe se tre deputetët e kësaj partie kanë qenë pjesë e shumicës parlamentare që i ka miratuar ndryshimet kushtetuese, që e hapën rrugën integrimit të Maqedonisë së Veriut në NATO. 
Drejtorja Falatko ka shprehur kënaqësinë që ky proces po ecë mbarë dhe ka siguruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe më tej do ta ndihmojnë këtë agjendë.
Gashi vazhdon edhe me takime dhe aktivitete të tjera në Amerikë.